"Mbylleni gojën, mjaft", Mehmeti: Maturantëve iu është bërë presion që të mos dalin në protestë

Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti në një intervistë për RTV Ora me gazetarin Xhoi Malësia lidhur me protestën e maturantëve u shpreh se është një protestë e drejtë, për sa kohë që nuk ka një përgjigje dhe transparencë nga ana tjetër.

Mehmeti: "Është shqetësues fakti i reagimit të ministrisë që duket se është zënë në faj tërësisht dhe ka një papërgjegjshmëri totale se si po e trajton. Fillimisht u tha se ne s'kemi faj, ato janë ushtrime të rregullta. Pastaj u tha ne po e ulim atë që quhet vlerësimi, por nuk dihet si, në ç'mënyrë.

Dhe video-mesazhi i ministres ishte nga më të çuditshmit sot. Nuk e di ku e gjente kurajën të ishte në një delir të madh, shumë e qeshur, tepër e lumtur, që po jepte një njoftim që ishte boomerang, vetëvrasje. Po thoshte që ne jemi të paaftë ta zgjidhim çështjen, ne do të rishikojmë maturën se ne jemi të paaftë. Shkurt, nuk kemi transparencë. Protesta e maturantëve është shumë  e drejtë për sa kohë që nga krahu tjetër nuk kemi transparencë. Nëse ministria do ishte e sigurt do vinte dhe do i thoshte :"Urdhëroni maturantë, për kë ushtrim keni paqartësi? E keni marrë në kapitullin 2, faqja 57. Këtë e keni marrë këtu, këtë këtu, për njohuritë që pretendohet se nuk janë marrë në program.

Maturantët pretendojnë që testet model që kanë bërë më parë, nuk qëndrojnë sepse ky është një plagjiaturë e Kembrixhit dhe për këtë ne nuk kemi një përgjigje. Është plagjiaturë apo është një tezë e bërë nga ekspertët që i takon? "

Sipas ekspertit, maturantëve i është bërë presion që mos protestojnë.

Mehmeti: "Këtu nuk ekzistojnë më mekanizmat. Ku është Komiteti i maturantëve, ku është këshilli kombëtar i prindërve? Pse u bëhet presion maturantëve? E dini ju që maturantët janë marrë në drejtorinë e shkollave dhe u është bërë presion. U është thënë :"Mbylleni gojën, mjaft. Ç'keni do mundohemi t'ju rregullojmë ndonjë pikë, por ju mos bërtisni më."

Kanë hallin se nesër ata mund të bojkotojnë provimin. Mund të gjendemi përpara një problemi të paprecendet.  Kjo do të thotë që matura shtetërore bie dhe mbi sistemin tonë arsimor vihet jo një pikëpyetje e madhe por një kryq."