Kërkohet konfiskimi i RTV Ora/ Muçi: Akt politik, duan të asgjësohet televizioni

Avokati i Presidentit "Yldon Media Group”, Besnik Muçi e quan akt të pastër politik kërkesën e SPAK për konfiskim të pasurisë së tij dhe familjarëve të tij pjesë e të cilës është edhe RTV ORA e Ora News. 

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Muçi thotë se pas kërkesës së SPAK fshihet qëllimi i asgjësimit të televizionit Ora News, i vetmi televizion jo konformist në Shqipëri.

Avokati nënvizon se do të parashtrojnë në gjykatë shkelje të rënda proceduriale që ka bërë prokuroria në hetimin e kësaj dosjeje.

Besnik Muçi: "Sot SPAK i famshëm ekzekutoi ose kreu një akt të pastër politik. U njoha me kërkesën në drekë. Nuk i gjej dot asnjë mbështetje në ligj për të paraqitur kërkesën në Gjykatë. Përveçse një akt i pastër politikë, me qëllim për të asgjësuar televizionin Ora News, një nga të vetmit televizione jo konformiste që ka ngelur në Shqipëri.

Dhe kjo për mua është arsyeja e vetme e paraqitjes në Gjykatë. Nuk gjej asnjë mbështetje ligjore për të justifikuar këtë kërkesë." 

Dikur prokuror Pranë Krimeve të Rënda sot avokat, Muçi thotë se vendimi është mjerim profesional madje shpreh keqardhje. 

Besnik Muçi: Pasi e pashë vendimin kam konstatuar se është një mjerim profesional, dizastër profesional. Është një mjerim profesional dhe nuk e kuptoj që ish-kolegët e mi kanë vendosur firmën për një akt të tillë.

Jo vetëm i pambështetur në prova dhe flagrant me ligjin është një akt kontradiktor."

Ku qëndron kontradikta?

Avokati argumenton se ku qëndrojnë kontradiktat tek kërkesa e SPAK. Sipas avokatit Muçi akti në 70% të saj nuk është mbështetur në analiza të mirëfillta shkencore e ekspertiza ekonomiko financiare.

Besnik Muçi: "Eshtë dizastër. Në 40 faqe nuk gjej dhe nuk konstatoj asnjë analizë financiare, të Zotit Ndroqi, të ardhurat dhe shpenzimet e Zotit Ndroqi.

Prokuroria vetë, në aktin e vet thotë që zoti Ndroqi ka rreth  8 milion euro të ardhura dhe ka 11 milionë euro shpenzime dhe nxjerrin diferencën diku te 3 milionë euro të pajusifikuara.

Prokuroria kërkon konfiskimin e të gjitha pasurive të zotit Ndroqi. Pra kërkon sekuestrimin e 3 milionë eurove që janë të pajustifikuara dhe çuditërisht dhe 8 milionë euro të tjera që ka zoti Ndroqi. Pra të gjithë pasurinë. Këtej thotë që zoti Ndroqi ka 8 milionë të ardhura të ligjshme dhe nga ana tjetër kërkon konfiskimin e këtyre pasurive." 

Denoncimi

Përfaqësuesi ligjor thotë se prokuroria nuk ka bërë as detyrimin minimal në një dosje të tillë atë të analizës financiare dhe denoncon disa të dhëna që i quan skandaloze.

“Pas jetës prona mbrohet nga Kushtetuta. Në këtë rast do të konfiskojë pasurinë pa bërë asnjë analizë financiare se kush janë të ardhurat e zotit Ndroqit

Unë konstatova të dhëna tronditëse. Prokuroria merr përsipër të pasqyrojë fakte të pavërteta në kërkesë. Publikimi i fakteve të pavërteta është shpifje" tha Muçi.

Pasuritë e trashëguara 

Avokati analizon kontradiktat e kërkesës së konfiskimit të pasurisë. 

Avokati tha SPAK po kërkon që të konfiskojë edhe pasuri që janë trashëgim ose dhurime nga shteti qysh nga viti 1991.

Është kërkuar që të konfiskohet një apartament i privatizuar në vitin 1991. Po ashtu është kërkuar që të konfiskohet pasuria trashëgimore e nga prindërit e  znj. Ndroqi. Kjo për mua është një shkelje e hapur e ligjit."

Përfaqësuesi ligjor i Yldon Media Group sqaroi se zoti Ylli Ndroqi nuk është arrestuar asnjëherë në Itali.

"Prokuroria merr përsipër të pasqyrojë fakte të pavërteta në kërkesë. Publikimi i fakteve të pavërteta është shpifje. Prokuroria thotë se zoti Ndroqi është arrestuar në X ditë.  Unë avokati i zotit Ndroqi i bëj me dije se klienti im nuk është arrestuar në asnjë rast në Itali. Gjykata e Milanos vendimin e 2006 e ka zhvelftësuar në 2010."

RTV Ora Një Becheti i dytë?

Avokati thotë se nga prokuroria nuk ka bërë një analizë të mirëfilltë financiare dhe e çuan këmbanë të fortë alarmi.

Muçi: Do jetë një Becheti i Dytë. Qëllimi i vetëm ka qenë ta sulmojmë dhe asgjësojmë këtë televizion. Pas 10 muajsh vjen pa analizë financiare dhe kërkon ta konfiskosh. Çfarë do të konfiskosh? Kreditë? Apo 3.2 mln euro që ka prodhuar fitim ky televizion?! Po si mund të konfiskohen këto në një shtet me rend demokratik?! Si mund të shkosh në gjykatë  dhe të kërkosh konfiskimin e kësaj pasurie pa argumentuar"

Avokati nënvizon se do të parashtrojnë në gjykatë shkelje të rënda proceduriale që ka bërë prokuroria në hetimin e kësaj dosjeje.

"Prokuroria ka pasur detyrimin ligjor që të na jepte ne dhjetë ditë kohë që të paraqesim prova. Por dorëzohet kërkesa në gjykatë e njoftohet opinioni publik. Edhe puna e SPAK po bëhet digitale. Pse duhet njoftuar opinioni public pa njoftuar personin që po i asgjëson pasurinë."