Padurim për dialogun Kosovë-Serbi
Kryeministri, Albin Kurti, dhe Presidenti Aleksandër Vuçiç, do takohen të martën për t'i dhënë një frymë të re dialogut Kosovë-Serbi.
Palët e kanë pranuar se kompromisi nuk do të jetë i lehtë, por raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola fon Kramon, thotë se marrëveshja pritet me padurim.
“Të gjithë po presim me padurim që të kemi një marrëveshje finale, e cila do të sillte pajtimin për njohje reciproke nga dy anët. Prandaj, duhet ta vazhdojmë këtë dialog me qëllim të normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo është më e rëndësishmja. Është e rëndësishme për ju, për qytetarët tuaj në Kosovë, është e rëndësishme për ne në Bashkimin Evropian, sepse pa të nuk mund të ketë rrugë evropiane për Kosovën," tha fon Cramon.
Kryeministri Kurti i tha të premten Parlamentit se në takim po shkon me disa parime bazë, siç janë kërkesa për njohje reciproke, pranimi i krimeve të luftës dhe barazia në tryezë me palën serbe.
Beogradi ka deklaruar se kompromisi nënkupton lëshime nga të dy krahët dhe ndoshta do të duhej një ripërcaktim i kontureve territoriale të Kosovës, ndryshime të cilat eurodeputetja gjermane fon Cramon, i kundërshton fort.
“Absolutisht e ndaj perspektivën e njerëzve se ndryshimi i kufijve është toksik dhe nuk mund të ketë debat për të. Ai do ta dëmtonte çdokënd në rajon. Ne patëm një debat të ngjashëm për Bosnjën prandaj duhet të distancohemi dhe ta lëmë pas atë çështje. E kam përmendur se çështja e personave të zhdukur është kurciale dhe e dimë se ka pasur disa arritje për këtë," tha ajo.
Anëtarja e Parlamentit Europian paralajmëron një dakordësi për temën e asociacionit për komunat me shumicë serbe në Kosovë, temë të cilën kryeministri Kurti ka kërkuar ta shmangë.
“Do të ketë diçka për Asociacionin për pakicat serbe, por si do të draftohet dhe si do të duket, cilat do të jenë kompetencat e tij ekzekutive, po mendoj, çfarë lloj fuqie ekzekutive mund të ketë dhe natyrisht që nuk duhet të jetë asgjë si Republika Serbe në Bosnje. Prandaj, mendoj se shumë forca diplomatike duhet të kalojnë nëpër të gjitha pikat nga Plani i Ahtisaarit dhe atëherë Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë vetëm një çështje. E kuptoj pse kryeministri Kurti nuk është i gatshëm që në këtë pikë të flas vetëm për këtë çështje dhe e ndaj pozitën e tij se duhet të presim dhe të shohim se çka do të ketë në pako dhe atëherë do të vendosim se si do ta trajtojmë këtë pikë," tha fon Cramon.
Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike dhe u ndërpre fundvitin e kaluar për shkak të zhvillimeve politike në Kosovë.
Më 15 qershor, takimin Kurti-Vuçiç do e ndërmjetësojnë krye-diplomati i BE-së, Xhozep Borel, dhe i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak.
