Dita e paqes në Kosovë është kujtuar me protesta dhe reagime politike, Kurti: Duhet ta padisim Serbinë për gjenocid

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare kanë marshuar duke u kujtuar drejtuesve të shtetit të mos harrojnë të rënët. Madje me fotot e drejtuesve është reaguar dhe ndaj vendimit për gjyqin e nisur në Hagë.

Drejtuesit e shtetit janë mbledhur në fshatin Poklek, duke zhvilluar ceremoninë e ditës së paqes në oborrin e së cilës 22 vite më parë u vranë 53 civilë mes të cilëve fëmijë dhe një foshnje disa muajshe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 22-vjetorin e çlirimit të vendit tha se kriminelët e gjenocidit kanë emër dhe mbiemër dhe se tani është koha që ata të dalin para drejtësisë.

"Zëri i lirisë 6-muajshe dhe i fëmijëve viktima anë e kënd Kosovës, akoma thërret për drejtësi," tha Osmani.

Pak ditë nga nisja e dialogut, kur Kurti do të takojë presidentin e Serbisë Vuçiç, kryeministri i qeverisë së Kosovës u shpreh se 12 qershori shënoi fundin e gjenocidit.

"Ëndrrat e tyre jo vetëm që nuk i mohojnë por vazhdojnë t'i poklamojnë publikisht nën mitin e Kosovës si djep i Serbisë, por edhe me investimet e vazhdueshme e të shfrenuara për armatim modern duke blerë armë prej Rusisë, Bjellorusisë, Kinës dhe vendeve të tjera. Për çfarë armatoset Serbia, ky vend që ende nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka pranuar krimet masive që ka bërë 22 vjet më parë. Duhet ta padisim Serbinë për gjenocid," tha Kurti .

Në këtë ditë, Konjufca tha se lufta e lavdishme dhe e drejtë e UÇK-së u bë bashkë me ndihmën e ShBA-ve, të aleatëve e të NATO-s e ia dhanë vulën për një të ardhme të sigurt Kosovës