Meta refuzon komisionin hetimor: Është ilegjitim dhe në shkelje të mandatit kushtetues!
Presidenti, Ilir Meta, përmes shkresës dërguar kryetarit të Kuvendit e cilëson të paligjshëm komisionin hetimor të nisur ndaj tij. Duke e cilësuar një nismë jo për etikë por retorikë, ai shprehet se tashmë kanë përfunduar afatet kushtetuese. Pavarësisht kësaj anëtarët e komisionit kanë vijuar me dëgjimin e intervistave dhe deklaratave të dhëna prej Metës.
Ftesës së komisionit hetimor për interpelancë presidenti Ilir Meta i është përgjigjur përmes një shkrese drejtuar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, duke e cilësuar nismën e shkarkimit të paligjshme.
Në material thuhet se komisioni nuk mund të ngrihet 4 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, e po në këtë frymë nuk mund të vazhdojë pas diskutimet.
Meta: Sepse qëllimi i normës është që këto komisione hetimore nuk mund të funksionojnë në një periudhë kohore, e cili përkon me fundin e vet mandatit të Kuvendit, pasi nëse kjo realizohet, atëherë ekziston mundësia e keqpërdorimit dhe shpërdorimit të këtyre mekanizmave të kontrollit të posaçëm parlamentar.
Por edhe pas pretendimeve të Presidentit mbi legjitimitetin e procesit, Komisioni Hetimor ka vijuar mbledhjen e radhës me shqyrtimin e deklaratave të Presidentit për të cilat thanë se janë marrë nga AMA.
Kryetari i Komisionit, Alket Hyseni,argumentoi se çdo procedurë e ndjekur është totalisht e bazuar mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ndaj dhe ftoi presidentin Meta të japi versionin e tij para Komisionit, duke i lënë afat deri në datën 24 maj për tu dëgjuar.
Hyseni: Do t'ia japim mundësinë Presidentit të dëgjohet.Nga nesër deri ditën e hënë jemi gati ta dëgjojmë. Presidenti të zgjedhë ditën kur do të vijë në Komision.
Në shkresë Kreu i Shtetit ndër të tjera ka theksuar se të gjitha materialet janë të publikuara në faqen zyrtare, ku mund dhe të merren për arsye studimore. Teksa dhe një herë thekson se nisma është thjesht politike.
Meta: Se duhet ta ketë të qartë që askush, brenda dhe jashtë vendit, nuk mund të gënjehet e mashtrohet se kjo është çështje “etike” dhe “retorike”. Jo! Kjo është vetëm çështje SOVRANITETI!
