SHBA sfidon Kinën dhe Rusinë, ndan miliona vaksina anti-Covid për shtetet tjera
Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi të hënën se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë miliona doza vaksinash kundër koronavirusit në shtetet tjera, me qëllim rritjen e shkallës së vaksinimit.
Kreu i Shtëpisë së Bardha tha se një hap i tillë synon të rikthejë udhëheqësinë amerikane në luftën globale kundër pandemisë, teksa ka përmendur edhe përpjekjet e Kinës dhe Rusisë, të cilat kanë shfrytëzuar programet e tyre të donacionit, për të rritur ndikimin në botë.
Biden ka konfirmuar se 20 milionë dozat do të dërgohen nëpër shtete në gjashtë javët e ardhshme dhe deri në fund të muajit qershor, totali pritet të arrijë në 80 milionë, çka e bën SHBA-në lidere në donacione të vaksinave.
Biden tha se shifra prej 80 milion vaksinash është pesë herë më e madhe sesa donacioni i çdo shteti tjetër.
“Rusia dhe Kina kanë bërë donacion 15 milionë doza. Ju e dini se flitet shumë për Kinën dhe Rusinë që synojnë të rrisin ndikimin përmes vaksinave. Ne duam ta udhëheqim botën me vlerat tona dhe me këtë demonstrim të inovacionit tonë, zgjuarsisë dhe mirësjelljes themelore të popullit amerikan," tha ai.
Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë të ditur se cilat vende do të pranojnë këto donacione.
Shtetet e Bashkuara janë goditur më së rëndi nga pandemia, e megjithatë autoritetet amerikane deri më tani kanë dhënë më shumë se 272 milionë doza të vaksinave kundër koronavirusit.
Aktualisht numri i të vdekurve ka rënë në shkallën më të ulët në disa muaj.

