UNICEF: G7 t'i ndajë vaksinat me të tjerët

Shtatë vendet më të industrializuara të botës janë apeluar t'u dhurojnë vaksina shteteve më të varfra, në kuadër të skemës globale, COVAX.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët njoftoi se vendet e G7-ës mund të furnizojnë të tjerët me rreth 153 milionë doza nëse ndajnë vetëm 20 për qind të sasisë që presin për muajt qershor, korrik dhe gusht.

Drejtuesja ekzekutive e UNICEF-it, Henrieta For, tha se një donacion i tillë do ndihmonte të parandaloheshin zonat e tjera të nxehta të koronavirusit në shtetet më të pambrojtura.

Thirrjet vijnë në kohë kur 7 shtetet, SHBA-ja, Kanadaja, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia kanë planifikuar një samit.

UNICEF-i është përgjegjës për furnizimin me vaksina të COVAX-it, por vlerëson se skema e OBSH-së do ketë gati 190 milionë doza më pak në fund të qershorit.

OBSH-ja thotë se disa shtete, ku përfshihen edhe SHBA-ja dhe Kanadaja si pjesë e G7-ës, po i shpërdorojnë vaksinat duke imunizuar fëmijët mbi 12 vjeç, që konsiderohen më pak të rrezikuar nga Covid-19, ndërsa shtete të varfra, si në Afrikë, vuajnë mungesa serioze dozash.

Kanadaja gjithashtu ka porositur vaksina 5-fish mbi numrin që i duhen, dhe dyfishin kanë aktualisht Bashkimi Europian dhe Amerika.

Krizën me mungesën e vaksinave e ka rënduar edhe India, një vend prodhues vaksinash i cili ka vendosur së fundmi të ndalë eksportin e tyre për të imunizuar popullatën e vet.