Dënohet kush ndërton pa leje! Rama: Shqipëria vend i vogël për t'u shpërdoruar 1 mm, nuk jemi Kina
Kryeministri i vendit, Edi Rama paraditen e sotme u ndal në mbrojtjen e territorit nga ndërtimet pa leje.
Gjatë fjalës së tij, zoti Rama u shpreh se çdo ndërtim pa leje sot rrit në mënyrë të ndjeshme kostot e përbashkëta nesër. Rama u shpreh se kjo kërkon një rritje të përgjegjësisë nga strukturat policore dhe një paketë të re aktesh ndër-ligjore.
Në fjalën e tij, Rama tha se Shqipëria është një vend shumë i vogël për t'u përdorur qoftë dhe 1 milimetër.
Rama: "Kalimi në një fazë tjetër të përpjekjes së mbrojtjes së territorit nga aktivitete e paligjshme dhe qëllimi kryesor është për të rritur sa më shumë dhe sa më shpejt ndjenjën e përgjegjësisë për të gjitha strukturat policore në radhë të parë.
Vazhdojmë të jemi në një fazë konfuzioni mes institucioneve dhe mungese ndërveprimi konstant të orientuar dhe të suksesshëm gjë që kërkon një mbështetje të plotë në aspektin ligjor dhe këtë tani më e kemi garantuar me ndërhyrjet e fundit në Kodin Penal.
Dhe ana tjetër, kërkon një paketë të re aktesh ndër-ligjore ku të gjitha përgjegjësitë dhe ndërveprimet që pasojnë të jenë të qarta për të gjithë.
Çdo ndërtim pa leje sot rrit në mënyrë të ndjeshme kostot e përbashkëta nesër, duke cenuar pronën publike apo private, duke cenuar plagët e zhvillimit, duke cenuar buxhetin e shtetit pasi kthehet në një çështje sociale dhe financiare.
Nga ana tjetër kemi ndërtimet me leje që bëhen vatra abuzimi, ku mbi lejen e dhënë ndërtohen volume të tjera dhe formohen deformime të mëdha.
Policia e Shteti i ka të gjitha kapacitetet për t'u bërë mburojë e Shqipërisë në raport me këtë krim që është i sanksionuar si i tillë në ligjet tona. Çdo krim në territor duhet të jetë për policinë e shtetit prioritar.
Lejet e ndërtimit do t'i vihen në dispozicion policisë së shtetit për të qenë të qartë se çfarë aktiviteti është i lejuar në secilën zonë, duke filluar nga zonat turistike, zonat e mbrojtura, trashëgimi kulturore, nga qytetet pa shkuar dhe për t'u hallakatur në maja malesh.
Numri i ankesave që vijnë nga pjesët rurale ët Shqipërisë për prani të policisë tregon që kapaciteti i vrojtimit dhe i goditjes është 100%, por nga ana tjetër fatkeqësisht tregon që është një kapacitet që shfrytëzohet 100% për të goditur më të dobëtit, ndërkohë që është 100% larg për të goditur më të fortit.
Shqipëria është një vend shumë i vogël për t'u abuzuar dhe për t'u shpërdoruar 1 milimetër, se ne nuk jemi Kina dhe jo më masivisht."
