Martini: Ishte fitore e vuajtur. Brdariç vlerëson 3 pikët me Bylisin

Nuk e fsheh gëzimin Edi Martini për fitoren në Krujë ndaj Kastriotit, sukses që i lejon durrësakët të qëndrojnë ende në krye të Kategorisë Superiore kur kanë mbetur edhe 3 ndeshje nga fundi.

“Ishte ndeshje shumë e rëndësishme, fitore e vuajtur nuk mund të themi, e kemi pasur ndeshjen ne kontroll. Duhet të shënonim gola të tjerë. Ashtu siç erdhi loja, ne pësuam gol dhe e rrezikuam ndeshjen. Kastrioti në pjesën e parë i mbylli mirë shtigjet, deri para shënimit të golit, nuk kishim raste të pastra. Pjesën e dytë me shënimin e golit, na u bë më e lehtë. Ishte ndeshje shumë domethënëse për ne, e kishim përgatitur me shumë siklet”, u shpreh trajneri i ekipit bregdetar.

Nga Ballshi, Thomas Brdariç vlerëson skuadrën për 3 pikët e vështira me Bylisin por vuri në dukje se Vllaznia duhej të shënonte një tjetër gol për tëmos rrezikuar.

“E merituam fitoren, ishim më mirë se kundërshtari. Fusha ishte shumë e ngadaltë dhe ishte një lojë e mirë duke parë. Falënderoj skuadrën për atë që bëri. Është më e lehtë të luash me dy gola avantazh, pasi ke më shumë hapësira. Duhet të prisnim deri në momentet e fundit, kur nuk dihej si do shkonte. Ishte një vendim shumë i mirë që sot të luaja me Avdijajn. E pashë që ishte në formë dhe ai ishte alternativa për ndeshjen e sotme” deklaroi pas ndeshjes trajneri i shkodrabëve.