Logu: Kemi prova për manipulimin e zgjedhjeve, KAS institucion në varësi të Ramës

Në një intervistë për Ora News, juristi i PD-së, Marash Logu u shpreh se PD, LSI dhe një kandidat i pavarur kanë kërkuar që zgjedhjet në qarkun e Gjirokastrës të shpallen të pavlefshme për shkak të parregullsive.

Sipas Logut, duke refuzuar kërkesat për transparencë, KAS bëhet një institucion tërësisht politik nën kontrollin e një personi si Edi Rama.

Logu: PD, LSI dhe një kandidat i pavarur kanë kërkuar që zgjedhjet në qarkun e Gjirokastrës të shpallen të pavlefshme për shkak të parregullsive. Për këto parregullsi ne kemi paraqitur edhe provat, edhe pse kemi resurse të kufizuara në lidhje me gjëra të tilla. Të gjitha pretendimet që kemi ngritur dhe me kallëzimet në prokurori, apo me vjedhjen e të dhënave të qytetarëve, janë prova për vjedhjen e votave në 25 prill. Këto janë baza të mjaftueshme që këto zgjedhje në Gjirokastër të shpallen të pavlefshme.

Ndërkohë kërkesat tona janë refuzuar. Nëse për KAS-in këto zgjedhje kanë qenë të rregullta, atëherë nuk ka pse të mos bëhet transparencë sepse nuk do të gjendet asgjë. Ne jemi të gatshëm të provojmë se këto zgjedhje nuk ishin të lira dhe u manipuluan në mënyrë masive. Kështu ky institucion bëhet një institucion tërësisht politik nën kontrollin e një personi si Edi Rama.

Logu shtoi se Kodi Zgjedhor e parashikon se nëse ka pasur shkelje të rënda që kanë cenuar zgjedhjet, parashikohet që në një qark të caktuar të ripërsëriten zgjedhjet.

Logu: Edhe Kodi Zgjedhor e parashikon se nëse ka pasur shkelje të rënda që kanë cenuar zgjedhjet, parashikohet që në një qark të caktuar të ripërsëriten zgjedhjet. Ka pasur kërcënim të punonjësve të administratës dhe familjarëve të tyre. Janë kërcënuar që të sjellin lista dhe karta ID. Vjedhja masive e të dhënave ishte një skandal i madh me të dhëna që janë të aksesueshme edhe nga njerëz me rekorde kriminale. Edhe raporti i OSBE/ODHIR e konstatoi një gjë të tillë, duke bërë që këto zgjedhje të shpalleshin të pavlefshme.