Rëndohet bilanci i konfliktit Izrael-Palestinë, të paktën 90 palestinezë dhe izraelitë të vrarë

Teksa kudo festohet një nga ditët më të shenjta të kalendarit islamik, Izraeli dhe militantët palestinezë vijojnë konfliktin e përgjakshëm dhe bombardimin e njëri-tjetrit.

Myslimanët e Palestinës dhe Izraelit e kanë pritur ndryshe Fiter Bajramin e sivjetëm, mes shpërthimeve, dhjetëra viktimave dhe të ardhmes në luftë.

Të enjten dy vendet vijuan fushatën me sulme raketore ndaj njëri-tjetrit, duke përdorur arsenal më moderne armësh.

Mbi 600 lokacione që i përkasin grupit militant palestinez, "Hamas", janë rrafshuar prej fillimit të Operacionit izraelit "Rojtarët e Mureve", godina, baza, banka dhe ndërtesa shumëkatëshe.

Dronë kamikazë dhe raketa me rreze më të gjatë veprimi u lëshuan ditën prej Rripit të Gazës, duke e çuar mbi 1,500 numrin total të predhave të "Hamasit" drejt territorit izraelit.

"Me ndihmën e Zotit, sulmet tona me raketa nuk kanë të krahasuar me asnjë shtet dhe regjim tjetër. Vendimi për të bombarduar Tel-Avivin, Jerusalemin dhe qytetet që neve na janë pushtuar, është po aq i lehtë sa uji që ne pimë, nëse Al-Aksa jonë do të dhunohej. Nuk ka vija të kuqe."

Të paktën 90 persona kanë humbur jetën në të dyja anët e kufirit që nga dita e hënë.

Izraeli po shqyrton tani mundësinë e zbarkimit të trupave këmbësore në tokën palestineze.

Kombet e Bashkuara, Amerika dhe Rusia thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me shtetet e tjera në Lindjen e Mesme për të parë hapësirat për armëpushim.

Përpos sulmeve, brenda Izraelit nuk po ndalet as dhuna ndërkomunitare e ndërfetare mes komunitetit arabo-izraelit dhe hebrenjve.

Kryeministri Benjamin Netanjahu apeloi popullin për vetëpërmbajtje teksa një ditë më parë përshkallëzuan përplasjet mes dy komuniteteve.

"Asgjë nuk e justifikon linçimin e arabëve nga hebrenjtë, dhe anasjelltas. Qytetarëve izraelitë ju them se nuk ka rëndësi a po ju zien gjaku përbrenda. Ligjin nuk e bëni dot me dorën tuaj."

Për shkak të situatës me sigurinë, Izraeli devijoi të enjten disa fluturime në aeroportet më të ekspozuara ndaj sulmit, ndërsa linjat më të njohura ajrore amerikane, gjermane dhe britanike pezulluan aktivitetin e tyre në vend.