BE: Rusia do të "integrojë" Ukrainën Lindore

Rusia po tenton që ta përthithë gradualisht territorin lindor të Ukrainës, ku forcat vendëse vazhdojnë përballjen me separatistët prorusë.

Dyshimi për integrimin "de facto" të rajonit të Donbasit nga Rusia mësohet se po qarkullon edhe në Bashkimin Europian.

Sipas një dokumenti të siguruar nga agjencia e lajmeve, "Bloomberg", Kremlini po synon të organizojë zgjedhje të paligjshme apo t'u nxjerrë pasaporta ruse banorëve të rajonit, për të kontrolluar zonat më armiqësore me Kievin.

Konflikti në Donbas shpërtheu në vitin 2014, njëherazi me aneksimin e Krimesë.

Që prej asaj kohe, përplasjet mes rebelëve dhe ushtrisë ukrainase kanë lënë 13 mijë të vrarë.

Rusia deklaron zyrtarisht se në bazë të një marrëveshjeje për paqe të vitit 2015, Kremlini respekton autonominë e rajonit.

Autonomia më e madhe rrezikon t'i japë Donbasit të drejtën për veto për çështje të interesit kombëtar që nuk i interesojnë Rusisë, siç janë hyrja në NATO apo anëtarësimi në BE.

Në dokumentin e brendshëm që pritet të përpunohet, Bashkimi Europian jep disa opsione si mund ta mënjanojë influencën ruse në rajon, qoftë duke rritur fushatat e informimit, duke përmirësuar programin e vaksinimit për shtresat më në rrezik, duke mos njohur pasaportat ruse që u nxirren banorëve të Krimesë dhe Donbasit, apo duke ulur varësinë energjetike që Ukraina ka ndaj Rusisë.