Rusi/ Regjistrohen rastet e para të variantit indian të koronavirusit

Rusia ka regjistruar rastet e para të variantit indian të koronavirusit, sipas shkrimit në gazetën ruse Kommersant.
Dega rajonale e Observatorit Kombëtar të Shëndetit Publik njoftoi se janë regjistruar 16 raste të variantit indian, midis studentëve indianë në Universitetin Shtetëror Ulyanovsk, 700 kilometra në lindje të Moskës.
Zëvendës Kryeministrja ruse, Tatiana Golikova, ka thënë më parë se vendi nuk kishte regjistruar asnjë rast të këtij varianti.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se mutacioni i koronavirusit të ri, i identifikuar për herë të parë në Indi vitin e kaluar, përbën shqetësim global, me disa studime paraprake që tregojnë se përhapet më lehtë.
India është në krizë të thellë në këtë valë pandemie me rreth 350,000 raste të reja dhe 4,000 vdekje të konfirmuara çdo ditë.