Fiter Bajrami, Meta citon Kuranin: Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni për të mirë dhe mos nxisni urrejtje

Presidenti Ilir Meta dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi kanë uruar besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit.

Në mesazhin e urimit, Kreu i Shtetit thotë se është koha të angazhohemi çdo ditë për të ndërtuar një Shqipëri më njerëzore, që udhëhiqet me besimin në Zot, me përgjegjësinë qytetare dhe institucionale, vetëm drejt së mirës së përbashkët dhe që e refuzon arrogancën, korrupsionin, veset dhe dhunën, në çdo formë që ato mund të shfaqen.

Duke cituar Kuranin, Meta apelon: "Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni për të mirë dhe mos nxisni urrejtje."

Urimi i Presidentit

Sonte i bashkohem festës së çdo besimtari mysliman shqiptar për mirëseardhjen e Fiter Bajramit dhe urimeve të përzemërta për agjerim të pranuar, për më shumë shëndet, mbarësi, begati dhe paqe në familjet tuaja.

Me thirrjen e lutjeve të mëngjesit, nesër nga xhamitë e qyteteve dhe të fshatrave tona, besimtarët do të shënojnë përmbylljen e Ramazanit, të një muaji reflektimi shpirtëror plot sakrifica, por edhe me sfida të tjera të vështira shoqërore, që kaluam së bashku.

Shumë shqiptarë ndanë gjatë Ramazanit ndihmën e tyre fisnike për njerëzit në nevojë, duke ju gjendur pranë të sëmurëve, të varfërve dhe të pamundurve, me qëllimin e mirë për të ndërtuar një jetë të përbashkët komunitare, më të drejtë dhe më solidare.

Mbështetur në këto parime dhe vlera të larta hyjnore, morale, sociale dhe kombëtare është koha të angazhohemi çdo ditë për të ndërtuar një Shqipëri më njerëzore, që udhëhiqet me besimin në Zot, me përgjegjësinë qytetare dhe institucionale, vetëm drejt së mirës së përbashkët dhe që e refuzon arrogancën, korrupsionin, veset dhe dhunën, në çdo formë që ato mund të shfaqen.

Kremtimet e Fiter Bajramit na kujtojnë sot me krenari sakrificat e patriotëve tanë të besimeve të ndryshme fetare për të ndërtuar shtetin e pavarur dhe sovran, si dhe për të konsoliduar një nga vlerat më përfaqësuese të kombit shqiptar, harmoninë e mrekullueshme ndërfetare.

Kjo trashëgimi e vyer nuk do të ishte e mundur pa kontributin e jashtëzakonshëm të klerikëve myslimanë, të cilët mbi gjithçka vendosën Atdheun, si gjënë më të shenjtë.

Së bashku, edhe ne, duhet të angazhohemi për të mbrojtur demokracinë, pa të cilën liria e besimit sot nuk do të ishte e mundur dhe për të forcuar Shqipërinë në tërësi, për ta kthyer atë në familjen tonë të përbashkët, ku të gjithë të kenë mundësinë të ndërtojnë të ardhmen e tyre të sigurt europiane dhe ku askush të mos ndihet i përjashtuar, i izoluar, i nënçmuar dhe i vjedhur.

"Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni për të mirë dhe mos nxisni urrejtje." Kuran

GËZUAR FITER BAJRAMIN!

Ruçi uron besimtarët myslimanë: Festival i vlerave shpirtërore të shqiptarëve

Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar sot besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit dhe mbylljen e Muajit të Ramazanit, duke uruar që kjo të jetë festa e fundit që e festojmë të izoluar.

Urimi i kryeparlamentarit

Gëzimi i festës së bekuar të Fitër Bajramit vjen pas një muaji sakrificash të agjërimit, gjatë të cilit besimtarët myslimanë u falën, dëshmuan besimin, dashurinë, shpresën, solidaritetin dhe humanizmin. Fitër Bajrami është për myslimanët shqiptarë një festival i shpalosjes së vlerave më të mira të besimtarëve, është pjesë e mozaikut shpirtëror të shumë traditave shqiptare e botërore

Myslimanët shqiptarë nderojnë fenë e tyre dhe pasurojnë jetën shpirtërore të kombit. Edhe këtë vit muaji i Ramazanit dhe Fitër Bajrami janë gëzime brenda një dhimbjeje të madhe që ka kapluar gjithë njerëzimin. Por lajmi i mirë është se ne shqiptarët po lehtësohemi prej vuajtjes që shkaktoi pandemia dhe jemi në pragun e daljes e shpëtimit prej saj. Festa e Fitër Bajramit na i lehtëson sakrificat, na i shton shpresat dhe na e shumëfishon gëzimin e rikthimit në normalitetin e jetës

Pas kufizimit të ushtrimit të riteve, agjërimit, gëzimit e shpresës brenda vatrave familjare, ka filluar çlirimi prej tyre dhe festimi e gëzimi bashkarisht. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për të gjithë besimtarët, institucionet dhe komunitetin mysliman për mbështetjen që u dhanë qytetarëve, sidomos fëmijëve, të moshuarve, të sëmurëve e më të dobtëve për të përballuar mundimet dhe vuajtjet që shkaktoi pandemia. Uroj që kjo të jetë festa e fundit që e festojmë të izoluar.

Të gjithë myslimanëve u uroj Bajram të bekuar dhe të gëzuar! Shëndet, paqe e lumturi në familjet e të gjithë besimtarëve myslimanë dhe të gjithë shqiptarëve!