Pastrimi i parave/ Koka: Bandat kriminale e kanë imunitetin në xhep prej Ramës

Gazetari Bledian Koka, ka komentuar raportin që u publikua ditën e sotme, ku thuhej se sektori i ndërtimit në Shqipëri është kthyer në një lavatriçe për pastrimin e parave të pista.

I ftuar në edicionin e lajmeve të RTV ORA, me gazetaren Beti Njuma, Koka shprehet se raporti është një këmbanë alarmi teksa shton se pastrimi i parave bëhet në ndërtim ku pikë kryesore është Tirana dhe në turizëm, kryesisht në Vlorë.

"Raporti është vazhdimi i asaj që e kemi diskutuar dy ose tre muaj më parë  kur patëm në dorë përgjimet e Ndraghetës, ku mësuam se këta individë kishin shkuar deri tek zyrat e Kryebashkiakut Eron Veliaj, ku kishin në plan por 180 milion euro.

I vetmi informacion që kemi për drejtësinë shqiptare është se nuk e dimë se çfarë po bëhet, kemi të bëjmë me një drejtësi që nuk jep përgjigje për asnjë lloj shqetësimi që ka të bëjë me funksionimin e shtetit ligjor. Raporti është një këmbanë alarmi për atë se çfarë po ndodh në Shqipëri.

Dy janë sektorët që pastrohen paratë në Shqipëri, ndërtimi dhe fokusi është te Tirana dhe turizmi ku pika kryesore është Vlora, bashkuar edhe me Elbasanin. Si ata që ndërtojnë si ata që blejnë janë i njëjti pellg, sepse çështja e pastrimit të parave nuk është vetëm blerja e apartamenteve, por fillon që blihet toka dhe më pas fillojnë ndërtimet. Është një mekanizëm i madh në shërbim të parasë së pisët që këtu funksionon pas asnjë lloj teklifi."

Më tej ai thotë se bandat kriminale e mbajnë pushtetin përmes blerjes së votës, teksa thekson se ata që e kanë mbështetur Edi Ramën po zhgënjehen prej tij.

"Bandat kriminale e kanë imunitetin në xhep me raportin dhe bashkëpunimin dhe me kontributin për mbajtjen e pushtetit në këmbë përmes votës së vjedhur dhe votës së blerë. Shteti është i kapur dhe kjo nuk është befasi. Mesa duket edhe ata që e kanë mbështetur Edi Ramën për të ardhur deri këtu janë zhgënjyer nga ajo që kanë gatuar."

Gazetari pohon se synimi i qeverisë është të sundojë shqiptarët për t’i vjedhur.

"Debati publik në Shqipëri nuk orientohet nga nevoja që debati por nga interesi që ka qeverisja në pushtet. Qeverisjes nuk i intereson më të flitet për vjedhje apo megavjedhjet dhe megamashtrimin që iu bë qytetarëve në zgjedhjet e  25 prillit, me votat që u blenë me paratë e shqiptarëve dhe me paratë e drogës. Kjo qeveri i vjedh për t’i sunduar dhe i sundon për t’i vjedhur. "