Pesë gabimet stilistike që na bëjnë të dukemi keq
Ka ditë kur kemi kohë të kujdesemi për pamjen tonë, por ka edhe ditë të tjera që nuk kemi kohë as për tu shikuar në pasqyrë, sepse jemi në nxitim. Në çdo rast, ka disa gabime stilistike që shumica prej nesh i bëjmë pavarësisht nëse e kuptojmë apo jo dhe prishin veshjet tona. Mund të duken si detaje, por janë ato që bëjnë diferencën dhe do na ndihmojnë të dukemi sa më të bukura.
Më poshtë ju listojmë pesë gabimet stilistike që të gjithë bëjmë, por nuk i japim rëndësi:
1. Aksesorë të vjetër
Aksesorët luajnë rol vendimtar në pamjen tuaj. Kjo automatikisht do të thotë se ju duhet të kujdeseni për ta sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që t'i mbani sa më të rinj. Kjo do të thotë, se sa herë që ktheheni në shtëpi, sigurohuni që të pastroni këpucët dhe të vini re nëse ka ndonjë gërvishtje. E njëjta gjë vlen edhe për çantat tuaja, të cilat duhet t’i ruani me kujdes, pasi disa materiale konsumohen nga pluhuri, raporton Ora News.
2. Detajet
Janë ato detaje që, siç rezulton, nuk janë aspak të parëndësishme dhe ju duhet t'i kushtoni vëmendje të madhe atyre. Pak para se të dilni nga shtëpia, edhe nëse nxitoni, shikoni tërë pamjen tuaj në pasqyrë. Një buton mund të mungojë, mund të ketë njollë që nuk e keni parë. Çfarëdo që të jetë, sado e vogël të duket, mund të shkatërrojë tërë pamjen tuaj.
3. Rroba të rrudhosura
Të gjithë biem dakord, se hekurosja nuk është aktiviteti ynë i preferuar, megjithatë është i nevojshëm në shumicën e rasteve. Një veshje që nuk është hekurosur mirë ose fare, do të degradojë menjëherë pamjen tuaj. Gjithashtu është shumë e rëndësishme të lexoni udhëzimet në etiketat e rrobave në lidhje me hekurosjen, në mënyrë që mos të dëmtoni pëlhurën, raporton Ora News.
4. Mospërshtatja e veshjes me trupin
Duhet të dimë se si të zgjedhim rrobat tona, bazuar në llojin e trupit që kemi. Nëse vërtet ju pëlqen një fustan, por nuk tregon siluetën tuaj mirë, mos e blini. Sado e bukur të jetë, kur ta vishni nuk do të ndiheni rehat dhe rezultati nuk do të jetë elegant. Padyshim, ka mundësi më të mira që do t’i përshtaten më mirë trupit tuaj.
5. Të brendshme të gabuara
Duhet t'i zgjidhni të brendshmet tuaja bazuar në setin që do të vishni. Nëse keni veshur pantallona të bardha, të brendshmet duhet të jenë ngjyrë bezhë në mënyrë që të mos duken ,ose nëse keni veshur një bluzë me kurriz zbuluar, atëherë duhet të vishni reçipeta pa rripa, raporton Ora News.



