Meghan akuzohet për kopjim

Meghan Markle pritet të botojë më 8 qershor librin e saj të parë. Është një botim për fëmijë që mban titullin “The Bench” dhe hulumton lidhjen midis baballarëve dhe djemve, parë nga sytë e një nëne. Dukesha e Sussex është shprehur se për librin u frymëzua nga një poezi e Ditës së Babait, që ajo shkroi për bashkëshortin e saj, Princin Harry. Libri është ilustruar nga artisti fitues i Caldecott, Christian Robinson.

“The Bench’ filloi si një poezi që unë shkrova për burrin tim në Ditën e Atit, një muaj pasi Archie lindi,” është shprehur Meghan në një deklaratë për shtyp, “Ajo poezi u bë kjo histori”.

Por, Dukesha është vënë në qendër të kritikëve të cilët e akuzojnë për vjedhjen e idesë nga libri i një autori britanik të vitit 2018. Sipas “The Sun”, libri ka ngjashmëri me botimin e Corrinne Averiss, të titulluar “The Boy”. Të dy kopertinat e librave shfaqin pemë dhe stola nën to, si dhe zogj. Gjithashtu, në të gjendet një foto e një babai me djalin teksa dremisin në natyrë, ashtu si në librin e autorit britanik ku djali shihet i ulur në një stol me babin e tij, me një laptop para.

Çifti janë prindër të djalit Archie, i cili mbushi këtë të enjte 2 vjeç ndërsa Meghan aktualisht është shtatzënë me fëmijën e dytë, një vajzë, e cila pritet të vijë në jetë këtë verë. Dukesha dhe burri i saj, Harry kanë qenë në fokus të mediave kohët e fundit pas intervistës që dhanë për Oprah Winfrey, ku ndër të tjera adresuan akuza ndaj një anëtari të familjes mbretërore për racizëm ndaj të birit të tyre.