Përkujtohet 200-vjetori i vdekjes së Napoleonit, strategu legjendar që dominoi Europën
Më 5 maj 1821 ndërroi jetë perandori francez, Napoleon Bonaparti, strategu legjendar që dominoi Europën dhe çështjet globale të fillimshekullit të 19-të me ushtrinë e tij.
Më 5 maj bëhen 200 vite nga vdekja e perandorit, Napoleon Bonaparti, ndër strategët më të admiruar ushtarakë ndër shekuj.
Gjenerali francez ndërroi jetë në vitin 1821, në moshën 51 vjeç, zyrtarisht, prej kancerit në stomak, por ka dyshime se u helmua në burgun e ku mbahej rob prej anglezëve.
Bonaparti e ndërtoi perandorinë i frymëzuar nga Roma antike.
Jul Çezarin, Augustin, Dioklecianin, Justinianin, ai i pati idhuj e i imitoi por vetë nuk mundi kurrë të shkelë në kryeqytetin italian, atje ku prej shkurtit një muze po ekspozon mitin e tij.
"Nuk pati kohë të vinte në Romë. Ishte i zënë me fushatat ushtarake dhe me ndërtimin e shtetit francez. Këtu e prisnin aq shumë sa kishin përgatitur edhe dhomat e pallatit Kuirinal."
Napoleoni e konsideronte Romën kryeqytetin e dytë të perandorisë së vet, pas Parisit.
Prandaj, me ta pushtuar në vitin 1809, trupat franceze vendosën të restaurojnë një nga monumentet simbol të qytetit, Kolonën e Trajanit, të ngritur nga perandori me të njëjtin emër.
Kolona e Trajanit u mendua të lëvizej në Paris, por më e lehtë doli që të riprodhohej në një kopje bronzi, e cila ekziston edhe sot.
"Kur mbërritën francezët, kolona ishte e zhytur në baltë dhe plehra, që nuk e nderonte. Plani ishte që ta pastronin pjesën nga jugu dhe të krijonin një shesh të madh në formë eliptike. Kolona në Plas-Vadom u inaugurua në Paris në 1810-ën dhe nuk është veçse kopje e Trajanit, por me ushtrinë dhe fitoret e Napoleonit."
Napoleoni lindi në Korsikë në vitin 1769.
Në moshën 30 vjeç iu bashkua një grushti shteti duke dalë edhe sundimtar i Francës e duke u vetëshpallur perandor në 1804-ën.
Perandoria që krijoi shtrihej nga Spanja në Poloni, por me disa disfata mbi shpinë, si ajo e Trafalgarit, përballë Rusisë dhe e fundit në Vaterlo, ai u internua në ishullin e Shën-Helenës ku do të mbahej i burgosur deri në fund të jetës.



