Boksieri i njohur akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e të dashurës së tij shtatzënë

Félix Verdejo akuzohet për sulmin ndaj Keishla Rodríguez dhe më pas hedhjen e trupit nga një urë afër San Juan, kryeqyteti i ishullit amerikan. Ai u dorëzua në polici por refuzoi të bashkëpunonte me hetuesit.

Vdekja ka shkaktuar shumë protesta kundër vrasjes së grave në Porto Riko. Në janar, ishulli shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për dhunën ndaj grave. Aty vriten të paktën një femër në javë, sipas organizatave të të drejtave të grave. Boksieri 27 vjeçar, i martuar, po përballet me akuza për rrëmbim dhe vrasjen me dashje të së dashurës si dhe të një fëmije ende të palindur, raporton BBC.

Sipas një ankese federale, Z. Verdejo grushtoi të dashurën e tij në fytyrë përpara se ta lidhte dhe ta hidhte nga një urë. Nëna e viktimës i tha medias lokale se vajza e saj mbante fëmijën e Z. Verdejo dhe se ai kishte dashur që ajo të mos e kishte fëmijën për hir të familjes dhe karrierës së tij.

Zonja Rodríguez, 27 vjeç, e njihte Z. Verdejo që kur ishin adoleshentë, tha ajo dhe kishte qëndruar në kontakt me të gjatë gjithë këtyre viteve. Trupi i saj u gjet në një lagunë dhe u identifikua përmes regjistrave dentarë, sipas Institutit të Shkencës Ligjore të Porto Rikos.