Çifti i të moshuarve prej dy vitesh të izoluar: Kemi frikë se nuk do i shohim më nipërit e mbesat
Gliqeri dhe Vasil Lako, 83 dhe 87 vjeç, nga fshati Muzinë i Sarandës, prej dy vitesh nuk munden të takojnë fëmijët e tyre.
"Kemi 6 fëmije e nipër e mbesa po na janë mbyllur kufijtë dhe nuk vijnë dot".
Ato jetojnë të vetëm prej vitesh edhe pse janë prindër të 6 fëmijëve, e vetmja periudhë e vitit që takohen me fëmijët është ajo e festimit të Pashkëve, por dhe këtë mundësi ua ka pamundësuar pandemia.
Të moshuarit shfaqen të përmalluar për nipërit dhe mbesat teksa druhen nga frika se mbase nuk do të mund t'i shohin më kurrë.
Kushtet e krijuara nga pandemia COVID-19 kanë bërë që çifti i të moshuarve të izolohen në fshatin e largët duke patur vështirësi në sigurimin e kushteve jetike.
Ato shprehen se gjatë pandemisë kanë hasur vështirësi për të siguruar medikamentet që zakonisht ua sillnin fëmijët nga shteti grek.
"Ilaçet ikim i marrim në Sarandë ose Delvinë, nuk kemi ç'të bëjmë me këtë gjendje që është sot".
Por ilaçet nuk ishin problemi i vetëm, pasi për të blerë ushqime dy pensionistëve iu duhet të udhëtojnë 30 km edhe pse për të shkuar në Sarandë nuk ka linjë autobuzash.
Të ardhurat e vetme i sigurojnë nga pensioni dhe tregtia e qershive, për të cilën Muzina shquhet.
"Tani në Muzinë kanë ngelur vetëm disa pleq të vjetër sepse rinia i ka ikur. Kanë ikur fëmijët e kemi mbetur vetëm, pa fëmijë, pa asgjë. Ç'jetë është kjo?"
Të moshuarit kujtojnë me nostalgji gjallërinë e dikurshme, pasi tanimë fshati është braktisur nga pjesa më e madhe e banorëve.

