Zgjedhjet në Shqipëri/ BE: Partitë të respektojnë rezultatin
Teksa përmbyllet procesi i numërimit të votave për forcat politike, Bashkimi Europian ka përgëzuar mbarëvajtjen e procesit duke u bërë apel partive ta respektojnë rezultatin.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Xhozeb Borel, dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhei, deklaruan të martën se në linjë me të dhënat paraprake të misionit të OSBE/ODIHR-it, zgjedhjet e së dielës shihen, përgjithësisht, si të mirëorganizuara dhe me incidente minimale.
"Vëzhguesit raportuan me shqetësim keqpërdorimin e burimeve ose funksioneve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike... Pretendimet për parregullsi duhet t'i paraqiten KQZ-së dhe autoriteteve të tjera kompetente, dhe duhen hetuar siç duhet, edhe shitblerja e votës."
Dy zyrtarët europianë kërkuan të mbyllet me shpejtësi dhe pa probleme procesi i numërimit, për të mundësuar krijimin po aq efikasitet të institucioneve të vendit.
Brukseli pret nga parlamenti dhe qeveria e re të mos devijojnë nga axhenda e reformave dhe nga dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.
"Shqipëria ka bërë rrugë të gjatë për në Bashkimin Europian dhe ka ndjekur me këmbëngulje reforma të vështira në interes të popullit shqiptar. Do të dëshironim që vendi të hynte në fazën tjetër të procesit të pranimit, që Konferenca e parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave të mbahej sa më shpejt."
Edhe Uashingtoni apeloi një ditë më parë që të pranohet vullneti i votuesve, dhe të mos aludohet se SHBA-ja po mbështet subjekte të caktuara në këtë garë.
PS: Mundësi reale edhe për 2 mandate në Tiranë e Durrës
27 Prill, 13:01
"Shtetet e Bashkuara mirëpresin bashkëpunimin me qeverinë e dalë nga zgjedhjet dhe vazhdojnë ta mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj për një demokraci më të fortë, një shtet ligjor, qeverisje të përgjegjshme dhe reforma në drejtësi," deklaroi Departamenti Amerikan i Shtetit, duke përshëndetur pjesëmarrjen aktive në zgjedhje.






