"Të hetohet ngjarja në Elbasan!" Raporti paraprak i OSBE-ODIHR, shqetësim databaza e PS dhe shitblerja e votës

Incidentet e dhunshme gjatë fushatës zgjedhore që kulmuan me ngjarjen e rëndë në Elbasan, databaza e PS me të dhënat personale të mbi 900 mijë qytetarëve si dhe shitblerja e votës, janë kryefjalë e raportit paraprak të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit në vendin tonë.

Gjetjet u komunikuan nga  Azay Guliyev, Shefi i Delegacionit të Azerbajxhanit dhe Nënkryetari i PA-së së OSBE-së, i cili është Koordinator Special dhe drejtues i misionit vëzhgues afatshkurtër të OSBE-së në Shqipëri.

"Ka pasur një sërë problematikash. Pavarëisht pandemisë shqiptarët kanë votuar në numra të konsiderueshëm. Vlerësohet marrëveshja e 5 qershorit si diçka me konsensus të gjerë. Fatkeqësisht pas valës së parë të reformave, në fazën e dytë nuk pati një konsultim me të gjitha palët pjesëmarrëse. Kandidatët kishin mundësi të bënin fushatën e tyre lirisht.

Shqipëria ka përdorur për herë të parë pajisje shtesë elektronike. Shpresohet të përdoret më shumë teknologjia në zgjedhjet pasardhëse. Sistemet elektronike që janë përdorur përgjithësisht janë konsideruar funksionale.Jemi informuar edhe për çështje që kanë të bëjnë me saktësinë e listës së zgjedhësve. Nuk u raportuan parregullësi. Disa rekomandime të ODIHR mbeten ende për tu adresuar te reforma zgjedhore".

Organizimi i zgjedhjeve

KQZ arriti të përmbushë pjesën më të madhe të detyrimeve të tij. Ka operuar në mënyrë tgransparente dhe ka gëzuar besimin e të gjithë aktorëve.

Fushata zgjedhore

Të gjithë subjektet zgjedhore mundën të bëjnë fushatë në mënyrë të lirë pavarësisht kufizimeve të Covid. Por fushata nuk pati dinamikën që duhet të kishte, mesazhet u fokusuan kryesisht te liderët e partive dhe jo çështjet e vërteta. Pretendimet për shitblerje votash ishin dominuese gjatë fushatës duke treguar se mbetet një problem i përhapur gjerësisht.

Pavarësisht kuadrit solid ligjor që ndalon shpërdorimin e burimeve të administratës publike dhe minimizon avantazhet e partisë në pushtet, ministrat vazhduan të bëjnë fushatë gjatë angazhimeve të tyre zyrtare. Kjo rezultoi në një lloj publiciteti që i solli partisë qeverisës një avantazh të madh, ofrimin e stimujve dhe një të pretenduar presion mbi nëpunësit civil që mbetet shqetësim.

Databaza e PS me të dhënat personale

Gjatë fushatës doli një databazë që përmbante informacione personale dhe kontakte të afërsisht 900 mijë shtetasve shqiptarë, preferencat e tyre poteciale të votimit, ky informacion rodhi në sektorin publik. Ne na u shprehën se kjo mund të konsiderohet si shkelje e rëndë e privatësisë për interesa të partive.

Mjedisi mediatik dhe dhuna në fushatë

Pavarësia editoriale ndikohet negativisht nga interesat e pronarëve të mediave. Dënoj me termat më të fortë incidentet e dhunshme që i paraprinë votimit të së dielës dhe që për fat të keq çuan në vrasjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve në Elbasan. Për fat të keq ishin këto incidente që shkaktuan vuajtje njerëzore por edhe zbehën përpjekjet e shumë të tjerëve që punuan pa u lodhur për ta përmirësuar sistemin. Këto incidente duhet të hetohen si duhet, nxitja e dhunës nuk duhet të tolerohet dhe do të dënohet.

Emigrantëve duhej t’u ishte mundësuar votimi

Kryesuesja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR në Tiranë, Ursula Gacek, tha se shitblerja e votave ndikon që shqiptarët të humbin besimin tek sistemi zgjedhor dhe kjo duhet të ndalet. Sipas saj, shitblerja e votave mbetet problem që duhet luftuar.

"Shitblerja e votës mbetet problem patjeter e ka qenë problem për një kohë të gjatë e duhet luftuar, nuk është e lejuar, dihet dhe nuk do të lejohet, kjo bën që shqiptarët të humbin besimin në sistemin zgjedhor nëse vazhdohet me shit-blerjen e votave. Do shohim nëse është rikthyer besimi te shqiptarët apo jo".

Sa i përket databazës së patronazhistëve të Partisë Socialiste, OSBE-ODIHR, thotë se kjo mund të konsiderohet si shkelje e rëndë e privatësisë për interesa të partiv.

“Gjatë fushatës doli një databazë që përmbante informacione personale dhe kontakte të afërsisht 900 mijë shtetasve shqiptarë, preferencat e tyre poteciale të votimit, ky informacion rodhi në sektorin publik. Ne na u shprehën se kjo mund të konsiderohet si shkelje e rëndë e privatësisë për interesa të partive”.

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR, për  rastin e karantinës së emigrantëve, ranë dakord se atyre duhej t’u ishte mundësuar votimi, por shtuan se në këtë rast nuk ka shkelje të ligjeve ndërkombëtare.