Rinis numërimi te KZAZ numër 39, Kim: Bota i ka sytë nga Shqipëria, prisni rezultatin përfundimtar
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, kreu një monitorim këtë pasdite në KZAZ numër 39 që ndodhet në Muzeun Kombëtar të kryeqytetit.
Në një prononcim për mediat ajo tha se bota i ka sytë nga Shqipëria ndaj dhe apeloi forcat politike dhe kandidatët të presin me qetësi rezultatin përfundimtar.
Yuri Kim: Folëm për atë që kishte ndodhur këtu dhe disa mospajtime që mund të ndodhin dhe në SHBA. Me rëndësi është të ketë një proces racional dhe transparent për zgjidhjen e këtyre çështjeve. E gjithë bota i ka sytë nga Shqipëria.
Miqtë tuaj veriorë do të thotë Suedia, perëndimorë Spanja deri në SHBA janë duke ju parë dhe duke pritur që ju t'ia dilni mbanë dhe të keni sukses.Është një gjë shumë e mirë që shikojmë numëruesit duke punuar fort, duam ti shikojmë të punojnë fort pa u lodhur dhe ta vazhdojnë punën.
Votuesit e kanë bërë punën e tyre, autoritetet këtu janë duke bërë punën e tyre, detyra e kandidatëve dhe udhëheqësve politike është të mbeten të qetë dhe me durim të presin rezultatin. E di që në entuziazmin e momentit disa e kanë shpallur fitoren por nuk kemi mbërritur aty deri sa të dalë rezultati përfundimtar.
Kim apeloi që të ruajmë qetësinë dhe të shohim se çfarë thotë populli.
Kjo KZAZ ka 10 Qendra Votimi. Grupet e numërimit kanë vijuar me numërimin e fletëve të votimit nga ora 2 e mëngjesit të sotëm deri në 6 të mëngjesit kur është ndërprerë dhe ka nisur sërish sot pasdite.

Nga 71 kuti votimi janë numëruar vetëm 10.

