Demokratët të kënaqur me Vlorën, Deromemaj: Kemi katër mandate, jemi shumë pranë të pestit
Partia Demokratike është e kënaqur me rezultatin në Vlorë, duke shënuar një rritje të konsiderueshme në këtë qark.
Ndërsa në zgjedhjet e 2017 PD mori 3 mandate, kreu i degës së PD në këtë qytet, Genc Deromemaj, tha për gazetarin e Ora News, Edi Ruçi se demokratët e kanë të garantuar mandatin e katërt dhe janë shumë pranë të pestit.
Deromemaj: Në lidhje me procesin e votimit ka pasur goxha problematika që i kemi evidentuar dhe raportuar pranë organeve kompetente, kemi bërë dhe kallëzime penale. Kryesisht ka shkuar mirë por ka pasur një tentativë të vazhdueshme të pushtetit të Rilindjes për të blerë vota, kërcënuar dhe trysnuar njerëzit.
Mënyra si kërcënonin drejtëpërdrejtë administratën ishte përmes fotografimit të votës, kemi bërë kallëzime penale për disa ngjarje të rënda. Sa i takon numërimit përveçse ndonjë tentative të dëshpëruar të socialistëve për të vonuar kominisionerët dhe numërimin kryesisht po shkon mirë.
PD është mirë, brenda pritshmërive. Kemi dukshëm rritje në çdo kuti. Kemi një 4 të plotë dhe jemi duke shkuar drejt një mandati të 5.
Por ndërsa drejtuesi politik i PS-së pranoi rritjen e PD por tha se e ka në kurriz të LSI, Genc Deromemaj pretendon të kundërtën.
Deromemaj: Votat që janë shtuar në kutitë e PD del hapur se nuk kemi cënuar absolutisht votat e LSI por kemi marrë mbështetje nga qytetarët për ndryshimin e shumëpritur. Jemi shumë pranë mandatit të pestë. Për fat të madh të Shqipërisë ndryshimit ka ardhur gjithmonë nga Vlora.

