Vuçiç: Na duhet paqja me shqiptarët dhe të tjerët

Gjermania do e ndihmojë Serbinë të ecë më shpejt në rrugën e Bashkimit Europian nëse do të arrijë kompromis me Kosovën.

Ministri i Jashtëm gjerman, Hajko Mas, i deklaroi të premten (23 prill) presidentit Aleksandër Vuçiq se është e domosdoshme që normalizimi i raporteve të vijojë bashkë me reformat për sundimin e ligjit dhe kundër korrupsionit.

“Është e rëndësishme që dialogu me Kosovën të mos mbahet për hir të dialogut, por të ketë rezultat. Nuk ka pse të nisë nga fillimi. Do të përdoren çështjet që janë negociuar deri tani."

Vuçiç tha se kompromisi me Kosovën do të arrihet kur pala tjetër t'i përmbahet marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel, siç është ajo për komunat me shumicë serbe.

Presidenti i Serbisë shtoi se vendi i tij do të luajë rol konstruktiv në rajon.

"Neve nuk na interesojnë territoret e të tjerëve. Na duhet paqja me shqiptarët dhe të tjerët. Është e sigurt se në njëqind vitet e ardhshme, ne dhe shqiptarët do të jemi dy kombet më të mëdha të Ballkanit Perëndimor."

Beogradi ishte ndalesa e dytë e kryediplomatit gjerman, pasi një ditë më parë vizitoi Prishtinën ku u takua me krerët më të lartë shtetërorë.

Ministri Mas i theksoi presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, se dialogu me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke.

Osmani u tregua e rezervuar dhe tha se Kosova do të ketë një qasje më parimore se më parë.

“Si institucione të Kosovës e informova ministrin që ne do të vazhdojmë të ngremë zërin dhe të bëjmë çmos që të ketë drejtësi për gjitha këto viktima. Për ne ky proces i dialogut ka nevojë për një ‘reset’, pra nuk është thjeshtë një vazhdimësi dhe të gjitha institucionet tona vëmendshëm do të shqyrtojnë secilën marrëveshje të arritur, secilin dokument të shqyrtuar deri më tani. Do të zhvillojmë një dialog të bazuar në parime të qarta," u shpreh Vjosa Osmani.