Serbia rendit vaksinat më efikase
Një studim paraprak i kryer për herë të parë në Serbi, ka dalë në konkluzionin se çdo vaksinë e tanishme është efikase kundër kovidit-19.
Studimi mori në analizë rreth 29 mijë persona të vaksinuar dhe 100 mijë të pavaksinuar mes 1 janarit dhe 28 shkurtit, për të parë se cili rrezikonte më shumë që të shtrohej në spital me pneumoni apo me simptoma të koronavirusit.
Personat e imunizuar morën doza të vaksinës amerikano-gjermane, "Pfizer/BioNTech", anglezen "AstraZeneca", rusen "Sputnik V" dhe vaksinën e kompanisë kineze "Sinopharm".
"Pfizer-i i krijon më shpejt antitrupat, pastaj vjen Sputnik V dhe vaksina kineze. Por në rastet e mutacioneve të reja, vaksina kineze ofron mbrojtjen më të mirë sesa Pfizer, Sputnik V apo AstraZeneca, sepse virusi shumëfishohet te protina F që kjo lloj vaksine e ka si objektiv, jo te proteina S si të tjerat," deklaroi mikrobiologu dhe profesori serb, Dejan Baskiq, autori i studimit.
Studiuesit në Serbi konfirmojnë se vaksina "Pfizer" është 95 për qind efikase kundër kovidit-19, rusja "Sputnik V" 93 për qind, nuk ka të dhëna për vaksinën "AstraZeneca" por që të treja reagojnë brenda disa ditëve.
Për kinezen "Sinopharm" ka rezultuar se në moshat 25 deri 65 vjeç ajo krijon antitrupa në 95 për qind të personave të vaksinuar, dy deri tre javë pas marrjes së dozës së parë.
Për sa i përket efikasitetit, përfundimi është se personat që marrin të paktën një dozë prej secilës prej vaksinave kanë 4 herë më pak rrezik për t'u infektuar sesa të pavaksinuarit, dhe ata me dy doza janë deri 8 herë më të mbrojtur nga pasojat e kovidit-19.