“Mesazhe” me tritol e benzinë, eksploziv për herë të tretë një banese në Fushë Krujë
Dy mesazhe kriminale me tritol e benzinë u dhanë gjatë natës. Një banesë në fshatin Halil të Fushë Krujës u sulmua për herë të tretë me tritol, ndërsa në Elbasan dy makina u dogjën me zjarrvënie të qëllimshme.
Banesa e familjes së Arben Pëllumbit në fshatin Halil të Fushë Krujës u sulmua me tritol për herë të tretë.
Ngjarja ndodhi gjatë rreth orës 23:00, në kushtet e ndalim qarkullimit.
Lënda plasesë ishte vendosur në derën e objektit e për pasojë dëmet materiale ishin të mëdha.
Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar pasi familja Pëllumbi prej disa kohësh jeton në qytetin e Krujës, ku edhe atje kanë rënë pre e sulmeve me tritol.
Banesa në fshatin Halil është sulmuar me tritol në tetor të vitit të kaluar dhe 9 mars të këtij viti.
Por policia ka dështuar në të dy rastet të identifikojë dhe vërë para përgjegjesisë autorët, ndaj sulmi është përsëritur.
Për ngjarjen e fundit, disa persona thuhet se janë shoqëruar si të dyshuar, por nuk ka konfirmime për persona të arrestuar për ngjarjen që sipas familjes Pëllumbi ka si shkak një miqësi të prishur disa vite më parë.
Lexo edhe-Pronari pas shpërthimit në mars të këtij viti: Dyshoj për një miqësi të prishur
Ndërkohë dy automjete në pronësi të biznesmenit Kujtim Kasneci u dogjën në Elbasan.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, zjarrvënësit ishin dy persona të cilët u hodhën mjeteve benzinë dhe u vunë flakën.