Dhuna ndaj stafit të Ora News, Demalia: Veliaj vijon hakmarrjen për shkak të aferave të publikuara
Gjatë intervistës së tij për Ora News, analisti Ilir Demalia dënoi ashpër dhunën që njerëz pranë kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj ushtruan sot në Kavajë ndaj gazetarit Ronaldo Sharka dhe grupit të xhirimit të Ora News.
Sipas Demalisë, gazetari as nuk mund të preket dhe as nuk mund të kërcënohet, ndërsa dhunën e sotme e quajti hakmarrje të Veliajt ndaj Ora News për shkak të aferave të publikuara nga ky televizion.
“Çfarë do që mund të ketë ndodhur, gazetari nuk mund të preket. Për të qenë i drejtë, unë nuk po akuzoj Erion Veliajn por Erion Veliaj duhej të kishte dalë dhe të jepte një deklaratë për shtyp për atë çfarë ka ndodhur para syve të tij. Atëherë kur Erion Veliaj nuk prononcohet, atëherë vijmë te ajo që Erion Veliaj vijon hakmarrjen e tij me Ora News për aferat që i ka nxjerrë Ora News.
Prekja e gazetarit, në çfarë do lloj forme, është e patolerueshme, e papranueshme dhe e dënueshme. Personat që kanë vënë dorë mbi gazetarët duhet të kapen direkt nga policia dhe të nisë hetimet prokuroria", u shpreh Demalia.
Lexo edhe: PAMJET/ Dhuna e njerëzve të Veliajt, gazetari i Ora tregon çfarë ndodhi në Kavajë