Java nis me shi dhe temperatura të ulëta por pranvera vjen në 25 prill, të dielën e zgjedhjeve

Kjo javë do të vijojë me mot të paqëndrueshëm, me reshje shiu dhe temperatura të ulëta.

Lajda Porja, drejtore e zyrës operacionale në Meteoalb tha për "Ditë e Re" në Rtv Ora se  motin me diell dhe temperaturat e larta do ti prekim nga mesdita e të shtunës për të kulmuar me të dielën e 25 prillit që është edhe ditë zgjedhjesh.

Porja: Kjo javë është dinamike dhe me surpriza, sot dhe nesër do të mbetemi nën ndikimin e motit të vrenjtur dhe me reshje, kryesisht reshje shiu dhe reshje shumë të pakta dëbore në zonat e thella. Megjithatë dita e nesërme do të ketë më pak reshje dhe do të ketë intervale herë pas here dhe ndërprerje të reshjeve. Sot dhe nesër pritet që temperaturat minimale të jenë në vlerën 2-3 gradë në mëgjes më të ulëta dhe maksimalja jo më shumë  se 16 Gradë Celcius. Janë temperatura pak të ulëta krahasuar me periudhën në të cilën ndodhemi. Dita e mërkurë dhe e enjte do të sjellë ndërprerje të reshjeve dhe mot të kthjellët dhe diell, mëngjes pak të freskët.Ndërkohë mesdita me vlera 20 Gradë Celcius. Kemi sërish një ndryshim ditën e premte, pjesën e dytë dhe gjatë natës do të kemi rikthim të reshjeve në territor për të përmirësuar motin në fundjavë. Nga mesdita e të shtunës, përfshirë dhe ditën e dielë do të kemi mot të kthjellët dhe temperatura të larta. Në zonat malore si Kukës, Peshkopi, Bajram Curri dhe Burreli pritet të shënojnë 18 Gradë Celcius, bregdeti dhe zona e ulët do luhaten nga 21-24 Gradë Celcius.