"Me pampersa, do e ngremë për leckash", komentet skandaloze të patronazhistëve të PS që spiunojnë qytetarët për vota
Patronazhistët e Partisë Socialiste të cilët kryeministri i mbrojti sot, zbulohet të kenë përdorur metoda denigruese ndaj zgjedhësve në këmbim të votës. Në komunikimin mes tyre për qytetaret që kishin nën mbikëqyrje shprehet arrogance ndaj të lëkundurve apo dhe të moshuarve. Nëse hyn në databazën e përdorur për fushatë do të zbulosh procedurat se si qytetarëve u merret vota.
Një databazë e bërë publike pak ditë më parë nga Lapsi.al dhe mediat e tjera ka marrë përmasat e një skandali pasi u zbuluan të dhënat personale të më shumëse 910 mijë qytetarëve.
Ndërkohë që SPAK ka nisur hetimet çdo ditë publikohen fakte që dëshmojnë se si qytetarët shqiptarë janë ndjekur, spiunuar dhe gjurmuar për identifikimin e prirjeve te tyre politike.
Nëse shikon disa nga komentet që patronazhistët kanë bërë për qytetarët të cilët i kanë në mbikëqyrje situata bëhet akoma e rëndë, kjo jo vetëm për shkak të gabimeve drejtshkrimore, por edhe për mënyrën si shprehen.
"Ndoshta nuk vjen, është me pampersa. Por do e ngremë për leckash."
Ky është komenti që një monitorues ka shënuar për një zonjë 85-vjeçare, teksa e cilëson si votuese të sigurt për Partinë Socialiste.
Por aty flitet dhe për favore që duhet t’u bëheshin personave në fjalë në mënyrë që të arrinin të siguronin votën.
"Duan legalizim dhe votojnë për ne."
"Problem me rrugën Xhon Belushi. Premtim i pambajtur. Sistemimi/shtrimi i saj do ndikonte pozitivisht."
"Kontaktuar Behar Velillari, familja e tyre ka qenë e lëkundur në disa fushata, ka patur fushata që kanë votuar edhe LSI. Premtuar që do të votojnë PS këto zgjedhje por me kushtin që të shtrohet rruga në rrugicën e tyre."
Madje, patronazhistët flasin edhe për socialiste të pakënaqur.
"Kanë qenë votues tradicionalë të PS, janë të pa kënaqur, kanë nevojë për punësim."
Një prej vëzhguesve shprehet se ka parë edhe luhatje në mënyrën si shprehej individi që ai kishte nën mbikëqyrje.
"Babai i Neritan Totozanit i cili punon në Ministri të Financave. Kur e takon pohon se është me PS, por nga mënyra se si shprehet më lë të dyshoj."
Në databazën e te dhënave të përdorura për fushate, përveç skandalit të rrjedhjes së informacionit nga agjencitë shtetërore, vërehen edhe metoda të paligjshme e madje denigruese të punonjësve të angazhuar për identifikimin e votuesve.


