Basha mesazh shqiptarëve: Kemi të gjithë një mision, do të jem kryeministër i të gjithëve
Mbrëmjen e sotme, rrugës për Gjirokastër, Lulzim Basha kishte një thirrje për të gjithë shqiptarët. Ai tha se misioni është i përbashkët, dhe të gjithë jemi një familje duke i garantuar se nëse i jepet besimi, do të jetë kryeministër i të gjithëve, pa dallim.
Basha u shpreh se ndryshimi është mes nesh, ndërsa shpresa për ndryshim është më afër se kurrë.
"Jemi bashkë për vendin tonë, për familjet, për ndryshimin. Ky është vendi ynë, Shqipëria është vendi i të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Ky është vendi ynë dhe ju takon ju, qytetarëve të Shqipërisë, nuk i takon as njërës dhe as tjetrës parti. Ky është Atdheu ynë i përbashkët.
Ju jeni motrat dhe vëllezërit tanë, ne jemi një komb, një familje, edhe ju e keni të shtrenjtë Shqipërinë. Ne përballemi me të njëjta probleme, ne të gjithë bashkë kemi një mision, një dëshirë, një aspiratë, ta bëjmë të ardhmen e fëmijëve tanë më të mirë. Unë ju garantoj se do të jem kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Ne do të kujdesimi për të gjithë.
Unë e di që ne së bashku do ta sjellim ndryshimin që Shqipëria ka nevojë. Në fakt ndryshimi është këtu mes nesh, shpresa është më afër se kurrë, është thjesht çështje ditësh," tha kryedemokrati.
Lideri demokrat njoftoi se nesër do të ketë një tur të gjatë nga Saranda në Tropojë. “Jam rrugës për në Sarandë dhe nesër do të nis një tur nga Saranda. Do të vazhdojë nga Jugu në Veri, nga Sarandë në Tropojë. Është diçka që mezi po e pres, do të jetë një ditë shumë e gjatë por do të jetë shumë e bukur” tha ai.