Bashkëqeverisje PS-PD? Biba: Mund të ndodhë, do ishte një leksion shumë i mirë për militantët

Ish kreu i KQZ-së, Denar Biba i ftuar në studion e Ora News është shprehur se në njësinë nr.10 në kryeqytet do të ketë një projekt pilot ku përveç identifikimit elektronik, do të jetë dhe numërimi i rezultateve të zgjedhjeve elektronik.

Zoti Biba thotë se ky projekt i numëron rezultatet që në momentin e votimit.

Ai shprehet besimplotë se projekti do të dalë me sukses dhe në zgjedhjet e ardhshme mund të shtrihet në të gjithë vendin.

Duke komentuar ftesën e Ramës ndaj Bashës për bashkëqeverisje,  Biba thotë se asgjë nuk është e pamundur pasi  zgjedhjet nuk janë thjesht matematikë.

Do të ketë një projekt pilot në njësinë nr.10, ku përveç identifikimit elektronik do të jetë dhe numërimi elektronik?

Biba: "Është një dëshirë e vjetër e partive, sidomos atyre në opozitë për futjen  e elektronikës në zgjedhje. Më në fund ne kemi një projekt pilot i cili realisht po realizohet. Duke parë që projekti është thjesht një projekt pilot dhe ka një vëmendje të jashtëzakonshme nuk është pra në gjithë vendin, jam pothuajse i bindur që do dalë me sukses dhe ndoshta projekti pilot në zgjedhjet e ardhshme ose pas 2 palë zgjedhjesh mund të shtrihet në gjithë vendin."

Ka një lloj vështirësie, nuk po flasim për të rinjtë që kanë më shumë akse në teknologji, por flasim për moshat e treta të cilët nuk janë kaq të adoptuar. Do të jetë problem?

Biba: "Mund të jetë një mini problem. Vendet perëndimore përgjithësisht vazhdojnë dhe votojnë manualisht dhe ka vendime të Gjykatës Kushtetuese gjermane apo holandeze të cilat e kanë ndaluar numërimin dhe votimin elektronik sepse janë të prekshëm nga hakerat. Nuk është rasti i Shqipërisë, nuk do të jetë në internet, do të jetë i mbyllur komplet, pra nuk mund të  aksesohet nga asnjë lloj hakeri.nga ana tjetër mbetet problematika me moshat e thyera të cilët nuk janë familjarë me një telefon smart sepse çdo gjë do të jetë identike si në një telefon smart.

Kjo do të japë një lloj ngërçi?

Biba: "Jo absolutisht. Kush has vështirësi do të ndihmohet nga një familjar ose një person tjetër të cilit do t'i kërkohet ndihma aty për aty. Por, individi do ta bëjë votimin vetë pa u ndikuar."

Sa kohë i duhet këtij projekti pilot të shpallë rezultatin?

Biba: "Në sekondë. Ju shkoni dhe votoni, u numërua vota juaj, vij unë pas jush, u numërua vota ime plus juaja dhe kështu me radhë. Në momentin që klikon votuesi i fundit në orën 19:00 në atë moment ka përfunduar dhe numërimi. Fillimisht do numërohen votat e partive politike dhe pastaj do fillojnë të numërojnë votat e kandidatëve."

Çështja e bërjes publike të një  database të mbi 900 mijë personave, si e shihni?

Biba: "Është një situatë që unë nuk e shoh me aq dramaticitet. Unë e di që të njëjtin database e ka edhe PD edhe LSI dhe çdolloj partie serioze në botë ngrenë projeksionet e tyre.

Si e shikon fushatën elektorale?

Biba: "I vetmi shqetësim i imi është situata pas zgjedhjeve. Njëra palë do humbë dhe atëherë si do sillet pala që do humbasë?"

Ka disa ditë që po diskutohet për nëj bashkëqeverisje të mundshme Basha-Rama. Në opinionin tuaj sa mund të ndodhë kjo?

Biba: "Kjo është absolutisht politike, por mund të ndodhë. Në gjykimin tim matematik është pak e vështirë që Partia Socialiste të blerë nën 70 deputetë, por mund të ndodhë zgjedhjet nuk janë vetëm matematikë. Mund të ndodhë që asnjëra parti të mos marrë numrat e nevojshëm dhe të kemi një bashkim PD-PS, një emër do t'ia gjejnë. Do të ishte një leksion shumë i mirë për militantët."

Së fundmi, nëse jemi në limitet e mandati 1 apo 2 mandate bëjnë diferencën, çfarë thotë Kushtetuta? Kush e merr të drejtën e qeverisjes?

Biba:"Ka një abuzim sepse Kushtetuta është shumë e qartë. Midis të drejtës së forcës e cila merr më shumë mandate në Parlament dhe diskrecionit presidencial për t'ia  dhënë dikujt, e drejta e forcës që merr më shumë është e padiskutueshme dhe unë jam shumë i sigurt që Presidenti do dijë të sillet në mënyrën më të mirë."

Është pyetja nëse mund ta marrë të drejtën koalicioni më i madh dhe jo forca më e madhe?

Biba: "Ne në këtë rast kemi 2 koalicione, nëse nuk gaboj, ku PD dhe LSI nuk janë koalicion formal. Është një marrëveshje e cila përpara ligjit nuk ka efekt juridik. Koalicionet janë vetëm ato të njohura nga ligji."

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku