Ftesa e Ramës për bashkëqeverisje/ Haxhinasto: Ofertë e pandershme, ndjell farën e përçarjes. Ja cili është qëllimi i Kryeministrit
Ish- ministri dhe njëherazi kandidati për deputet në Tiranë për LSI-në, Edmond Haxhinasto, ka komentuar ftesën e kryeministrit Edi Rama, që i bëri Kryedemokratit Lulzim Basha për bashkëqeverisje.
I ftuar në ‘Ekopolitikë’ ai ka thënë se është një ofertë jo e ndershme duke shtuar se qëllimi është të manipulojë opinionin publik dhe të krijojë idenë se koalicioni nuk është solid dhe mund të përçahet kollaj.
Edmond Haxhinasto: Unë mendoj se kjo është një ofertë që nuk ka aspak për qëllim që të ftojë PD, në bashkëqeverisje sepse nëse do të ekzistonte një ofertë e tillë do të ishte bërë shumë kohë më përpara, duhet të ishte bërë që në vitin 2013.
Duhet të ishte bërë ndoshta edhe atëherë kur filloi bullizmi ndaj grupit palamentar të opozitës të PD-së dhe LSI-së. Pse u prit kaq kohë kur ekzistoka potencialisht kjo dëshirë për bashkëqeverisje me opozitën. Kjo është një ofertë e pandershme. Është një ofertë ricikluese, që ndjell farën e përçarjes.
Është jo e ndershme sepse një ditë shprehet në mënyrën më negative për drejtuesin e PD, një ditë tjetër veçon nga përfaqësues të tjerë politikë, ditën tjetër përsëri e quan të pazotë për të drejtuar dhe ditën e katërt i bën përsëri ftesë. Ai do të manipulojë opinionin publik. Qëllimi është që të krijojë idenë që koalicioni nuk është solid dhe mund të përçahet kollaj.