Autor i disa vjedhjeve në Cërrik, arrestohet 35-vjeçari. Në kërkim autori tjetër

Policia ka zbardhur disa vjedhje të ndodhura në qytetin e Cërrikut, ndërsa është ndaluar autori i dyshuar dhe është shpallur në kërkim autori tjetër.

Bëhet fjakë për shtetasin E. U., 35 vjeç, banues në Elbasan, ndërsa u shpall në kërkim D. K., 32 vjeç, banues po në Elbasan.

Sipas policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se ditën e djeshme, në fshatin Floq, Cërrik, kanë vjedhur disa vegla pune në magazinën në pronësi të shtetasit E. R.

Po ditën e djeshme, në fshatin Trunxh, Cërrik, këta shtetas dyshohen se kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit K. K.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të një vjedhjeje tjetër, konkretisht:

Më datë 06.07.2020, në fshatin Linas, Cërrik, dyshohen se kanë vjedhur disa vegla pune në banesën e shtetasit P. Sh.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një automjet dhe vegla pune të vjedhura.