Rihapja e garës për hetues në BKH, Ambasada e SHBA thirrje për të aplikuar: Bashkohuni në luftën kundër korrupsionit!
Disa ditë pas rihapjes së garës për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje grave dhe burrave me gamë të gjerë prejardhjesh profesionale për të aplikuar.
Ambasada shkruan se aplikantët duhet të përmbushin standardet e tyre të larta të zhdërvjelltësisë mendore dhe aftësisë fizike, të ngjashme me ato të FBI.
Postimi i plotë:
"Keni ëndërruar gjithnjë të bëheni si një nga agjentët e FBI-së? A mendoni se keni atë që duhet? Tani është mundësia juaj! Byroja Kombëtare e Hetimeve ka hapur një tjetër thirrje aplikimesh për hetues.
BKH-ja po kërkon gra dhe burra nga një gamë e gjerë prejardhjesh profesionale, të cilët mund të përmbushin standardet e tyre të larta të zhdërvjelltësisë mendore dhe aftësisë fizike, të ngjashme me ato të FBI ? https://bit.ly/3fXfDGY.
Bashkohuni me këtë skuadër elitare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Nëse keni aplikuar në raundin e parë, aplikoni përsëri! Përvoja juaj, aftësia për t’u përmirësuar dhe dëshira për të shërbyer vetëm do t'ju ndihmojnë. Aplikoni tani!
Më herët, pjesë e BKH janë bërë 29 hetues, të cilët kanë filluar punën, por duhen edhe 31 të tjerë për të plotësuar numrin e plotë të tyre.