Frikë nga vota preferenciale? Kumbaro: Gara brenda llojit zero, kërkojmë vota për PS për 3 mandate në Gjirokastër
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor u kanë dhënë mundësinë qytetarëve shqiptarë për votë preferenciale në zgjedhjet e 25 prillit.
Por ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, kandidate për deputete e PS-së në Gjirokastër thotë se nuk e ndjen këtë presion.
Për Ora News, ajo u shpreh se 6 kandidatët socialistë në qytetin e gurtë funksionojnë si një ekip dhe po luftojnë fort të kapin mandatin e tretë nga 4 që ka Gjirokastra.
Kumbaro foli edhe për perspektivën e zhvillimit të turizmit në këtë qytet, si mundësi reale për zhvillimin ekonomik të Gjirokastrës.
Zonja Kumbaro gjatë këtyre ditëve kemi parë kryeministrin Rama, i cili ka qenë prezent në Gjirokastër, Përmet dhe padiskutim pjesë e këtyre takimeve keni qenë dhe ju. Për vetë qarkun që përfaqësoni, çfarë do të sjellë ndryshe zonja Kumbaro dhe ku do të jetë fokusi për këta qytetarë?
Kumbaro:" Synimi im është që në këtë mandat të tretë ne të zhvillojmë të njëjtin vizion, por në pjesën e fshatrave. Janë në fakt 7 bashki ku pjesa blektorale dhe bujqësore është shumë e rëndësishme. Janë kryesisht zona me kullota ku fshati ka një rëndësi shumë të madhe, por ndryshimi i madh është që nëse fshati deri para pak vitesh ishte prodhues produktesh ushqimore për jetesën e banorëve, sot kemi kaluar në një stad tjetër ku flitet për agroturizëm, që jo vetëm plotëson nevojat e zonës por kthehet dhe në një produkt atraktiv për të tërhequr banorë të zonave të tjetra që mos kemi vetëm turizëm deti siç jemi mësuar në Shqipëri. Kjo duhet mbështetur edhe në mandatin e tretë."
Zonja Kumbaro do doja të bëja një lidhje edhe me detyrën tuaj si ish-ministre e kulturës.
Teksa ishit ministre e kulturës erdhët me një vizion. Në kuadër të eksperiencës tuaj si ministre, sa janë në balancë trashëgimia kulturore, kultura në përgjithësi, historia që mbart populli ynë bashkë me ndryshimet që ju doni të implementoni?
Kumbaro:" Në fakt kjo përputhet jo vetëm me vizionin tim si ish ministre kulture, por edhe me vizionin e qeverisë sepse nëse e shikojmë trashëgiminë kulturore si një natyrë të qetë gabohemi rëndë.
Trashëgimia kulturore kur është ndërtuar ndër shekuj është ndërtuar për t'u përdorur, për të jetuar dhe sot duhet ët përdoret për t'u rilexuar. Ky qark është i mbushur me objekte të trashëgimisë kulturore. Modeli i zhvillimit është i njëjtë në të gjithë Shqipërinë sepse këto janë potencialet që të ofron Shqipëria. Ka gjithashtu në këtë qark edhe shtëpi të vjetra që janë monumente kulture. Qëllimi ynë është të kalojmë në një vit turizëm të plotë, sepse natyra të ofron atraksione dhe le të themi mikpritje si në fshat dhe në qytet për të 12 muajt e vitit."
Të gjitha këto të bëra së bashku, biem dakord që rrisin jo vetëm cilësinë e jetesës dhe nxjerrin në pah kulturën, por japin një mundësi të themi të daljes nga kriza ekonomike e cila është thelluar për shkak të dy fatkeqësive natyrore. Kjo shërben për t'i dhënë një tjetër impakt dhe shkëputje të krizës ekonomike? Hap vende të reja pune?
Kumbaro:" Padyshim që nëse ne flasim për një perspektivë zhvillimi në agroturizëm, kjo krijon mundësi të reja punësimi. Në të gjitha qarqet, më e avancuara në këtë drejtim është Gjirokastra. Në vitin 2013 në Kalanë e Gjirokastrës kishim 6900 vizitorë, viti 2019 u mbyll me 200 mijë vizitorë. Ne kuptojmë se si është rritur koefiçenti i vizitorëve që do të thotë se rritet dhe kërkesa për hotele dhe për akomodim. Në vitin 2013 në Gjirokastër kishim 2 hotele, sot kemi mbi 100 oferta akomodimi në Gjirokastër. Të gjitha këto janë edhe mundësi punësimi për kuzhinierë, kamarier, recepsionistë, pastrues etj. Unë ju thashë pak prej atyre që aspiroj të sjell si deputete në qarkun Gjirokastër."
Zonja Kumbaro do doja të ndaleshim në një tjetër moment. Kjo fushatë elektorale vijnë në një mënyrë ndryshe për shkak edhe të pandemisë, por nga ana tjetër kemi një vëmendje të shtuar edhe nga ndërkombëtarët. Kemi një gjuhë retorike nga ana e Partisë Socialiste kundrejt Partisë Demokratike, një lloj sulmi simbolik. A i shërben kjo elektoratit të Partisë Socialiste për të bërë evidencat e kundërshtarit?
Kumbaro:" Mua nuk më duket se ka ekzagjerim në debatin politik. Unë mendoj që garojmë me disa argumente. Në radhë të parë me çfarë kemi bërë dhe jemi në një moment bilanci ku themi se si i kemi bërë gjërat. Ne kemi ende vetëdijen e gjërave të pabëra, dhe bëjmë nëj hartë ose një rrugë shumë të qartë se çfarë duam të bëjmë në vitet që vijnë."
Unë mendoj që vetë Partia Socialiste me kryetarin e saj në krye e kalon këtë lloj simbolike, përtej përplasjes politike me njëri-tjetrin. Duhet se kjo simbolika e "natën do ta bëj dritë" apo e kundërta duket sikur fokusi kryesor i Partisë Socialiste është pikërisht për të kapur këto elementë ?
Kumbaro:" Ne nuk bëjmë fushatë me këtë. Jemi në versionin e fushatës kokë më kokë, shtëpi më shtëpi, me grupe të vogla sepse rregullat e pandemisë i respektojmë. Mua më prishet gjaku nga ana e përgjegjshmërisë nga ana e kundërshtarit dhe uroj mos sjellë pasoja fatale."
Për shkak të ndryshimeve kushtetuese është futur vota preferenciale. Sa e ndjeni konkurrencën brenda llojit zonja Kumbaro?
Kumbaro:" Konkurrencë brenda llojit ka dhe nuk ka asgjë të keqe sepse kjo është pjesë e garës. Megjithatë duke qenë se unë jam 100% e vendosur vetëm në qarkun e Gjirokastrës nuk mund t'iu flas konkretisht se çfarë po ndodh në qarqet e tjera. Ne këtu kemi një frymë skuadre për të cilën krenohemi. Jemi 6 kandidatë, kemi 4 mandatë në qarkun e Gjirokastrës.
Po punojmë të gjithë si skuadër jo për të kërkuar vota personale, por për të kërkuar vota për Partinë Socialiste. Për këtë kemi rënë dakord të gjashtë dhe të gjashtë po luftojmë për të marrë 3 mandate. Gara brenda llojit është zero për ne në qarkun e Gjirokastrës."
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku