Kryemadhi: Në 25 prill jo për t'i thënë Ramës ik, por për të kthyer të rinjtë dhe të rejat që kanë ikur
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me qytetarët e Lezhës.
Gjatë fjalimit të saj Kryemadhi u shpreh se në 25 prill të rinjtë dhe të rejat që kanë ikur jashtë do të kthehen në Shqipëri.
Sipas Kryemadhit, bukuria e të gjitha ditëve do të vijë pas 25 prillit.
Kryemadhi: "Ditë më të bukur se mund të ishte kjo e sotmja, edhe me skenarist ta kishim bërë, do të ishte e pamundur. Por megjithatë, bukuria e gjithë ditëve tona që do të vijnë, do të jetë pas 25 prillit, kur të gjithë ne së bashku do t’i drejtohemi kutive të votimit, jo për t’i thënë Ramës ik, por për të kthyer djemtë dhe vajzat tona që kanë ikur nga Shqipëria. Sepse duam që të jetojnë të lumtur në qytetet e tyre, në vendin e tyre, për të kthyer djemtë dhe vajzat e shqiptarëve, sepse u është hequr e drejta e punësimit. Sepse bizneset mbyllen, taksat rriten, çmimi i energjisë elektrike rritet çdo ditë e më shumë, taksat për bizneset shqiptare rriten çdo ditë e më shumë. Kërcënohen familjet më rindërtimin dhe seleksionohen sipas bindjeve politike. "
Sipas Kryemadhit, 25 prilli është dita kur do t'i thuhet jo diskriminimit të shqiptarëve. Në 25 prill do t'i jepet fund tranzicionit në historinë dhe jetën e shqipatëve.
Kryemadhi: "Prandaj 25 prilli nuk do t’i thotë Ramës ik, por do t’i thotë fenomenit të diskriminimit të shqiptarëve ik dhe të largohet njëherë e përgjithmonë. Dhe për t’i dhënë më 25 prill tranzicionit fund gjithmonë në historinë dhe jetën e shqiptarëve. Sepse më 25 prill vota juaj për numrin 6, vota për LSI-në, do të jetë votë për fëmijët, për të rinjtë, për të rejat, për të ardhmen e Shqipërisë. Sepse duke votuar LSI-në ne kemi votuar për të ardhmen europiane të të rinjve dhe të rejave shqiptarë."