Editorial nga Alfons Zeneli / “Pasurimi” i listës së kandidatëve të Ramës me tutorë lypësash
Gjatë periudhës 8-vjeçare të qeverisjes, Rama personalisht është shquar dhe si promovues i antivlerave si në kabinet, parti ashtu dhe në Parlament.
Lista e individëve të korruptuar, të ndjekur nga prokuroritë, të proceduar nga gjykatat në prezencë e në mungesë, të dënuar në shtete të ndryshme të BE, të implikuar në vrasje, trafiqe lëndësh narkotike, armësh apo qeniesh njerëzore apo gjobëvënie është një listë më e gjatë edhe se sa vetë borderotë e organizatave mafioze të Italisë.
Falë kësaj politike, Parlamenti shqiptar i këtyre dy legjislaturave i ngjante një lokali periferik ku mblidhen dhe ndajnë plaçkën të fortët.
Por kësaj radhe, Rama duke qenë se i është dukur menuja e paplotë, listës së deputetëve për Tiranën i ka shtuar Alfred Muharremin të cilin vetë Sulltani e ka shpallur si një “bamirës që mbron të drejtat e jetimëve”.
Kandidati i Ramës, Alfred Muharremi ka qenë dhe vazhdon të jetë kryetar i një shoqate të quajtur “E ardhmja jonë”.
Kjo shoqatë ka qenë filial, derivat i shoqatës “Jetimët në fokus” e drejtuar nga Maksim Liço, një pedofil i dënuar nga gjykatat shqiptare me burg ku dhe , sipas shtypit të kohës, ka vdekur nga SIDA.
Në bazë të një morie dokumentash e faktesh audiovizive, kandidati i Ramës Alfred Muharremi ka qenë bashkëpunëtori më i ngushtë i pedofilit Maksim Liço.
Teknikisht, kandidati i Ramës nuk mund të jetë përgjegjës për veprimet e dikujt tjetër sepse mund të mos ketë qenë në dijeni, por vështirë të besohet kjo gjë duke patur parasysh faktin se për një periudhë të artë kohe kandidati i Ramës Alfred Muharremi dhe pedofili i vdekur në burg Maksim Liço kanë jetuar në të njejtën banesë.
Kjo gjë, ky fakt vërtet nuk vlen për në gjykatë por vlen shumë për opinionin, për moralin dhe reputacionin e PS dhe elektoratit të saj.
Aq më tepër që bashkëpunimi i tyre si homologë, ka zgjatur ndër vite. Kandidati i Rilindjes, pra zyrtarisht dhe i PS Alfred Muharremi në krye të shoqatës “E ardhmja jonë” ka ushtruar aktivitet të ashtuquajtur humanitar e bamirës në mbledhjen e fondeve për jetimët.
“Mbledhje fondesh” është termi zyrtar i përdorur nga ne me delikatesë për rastin pasi në të vërtetë kemi të bëjmë me një rrjet lypësish rrugë të cilët lypnin nën tutelën e kandidatit të Rilindjes.
Deri këtu, pra deri tek lypja nuk ka asgjë të keqe ligjërisht aq më tepër që vetë Rama është vetëshpallur dhe mbret i lypsave.
Por disa vite më parë në një emision investigativ televiziv, doli se shoqata dhe tutori i lypësava kandidat për deputet kishin probleme shumë të mëdha me ligjshmërinë dhe deklarimin e të ardhurave që grumbulloheshin si dhe me mbërritjen e tyre në destinacion pra tek jetimët.
Aso kohësh, kryetari i shoqatës bamirëse që sot pret të votohet, ju deklaronte mediave se nuk i deklaron të ardhurat e mbledhura nga lypja në masë nëpërmjet jetimëve dhe konviktorëve. Nëse shikuesit janë kuriozë të dinë se për çfarë shumash bëhet fjalë, mjafton t`ju kujtojmë se lypësit e paguar (pra konviktorët e varfër) kishin si detyrim të plotësonin një normë prej 60 mijë lekësh të vjetra, normë të cilën ata e përmbushnin çdo ditë shumë shpejt.
Ndërkohë që bëhet fjalë për rreth 200 lypësa të shpërndarë në shumë qytete të vendit. Në një takim të shoqërisë civile të pasqyruar gjerësisht edhe nga mediat është bërë dhe një rezolutë e cila i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me shqetësimet shumë serioze që nxirrte në pah aktiviteti i dyshimtë i shoqatës së kandidatit socialist Alfred Muharremi.
Dyshime të përqëndruara në abuzimin skandaloz me të ardhurat prej lypjes si dhe mundësinë e kontrollit të një rrjeti pedofilie.
Një anë tjetër që bie në sy lidhur me këtë person është dhe arsimimi i tij. I mbështetur dhe përkrahur humanitarisht si jetim, është futur në universitetin UFO me një mesatare 5.3 çka me thënë të drejtën edhe mbase nuk përbën ndonjë problem të madh po të kesh parasysh faktin se edhe ish-ministrja e Arsimit e ka patur mesataren e fakultetit po aq.
Pas kryerjes së universitetit Alfred Muharremi punon në një bankë të nivelit të dytë dhe paraqitet e prezantohet në spotet elektorale nga piktori Rama si bankier.
Pra ky person i cili abuzon me ndihmat për jetimët dhe i dyshuar si bashkëpunëtor i ish-kapos së vet dënuar me burg për pedofoli po i serviret sot elektoratit të majtë si një engjëll mbrojtës i të drejtave të jetimëve.
Në një farë mënyre, nuk është dhe aq çudi pasi mënyra me të cilën i ndihmon Alfred Muharremi jetimët përkon pikë për pikë me mënyrën se si dhe vetë qeveria i ndihmon qytetarët. Bashkimi i lypësit Rama me lypësin Muharremi ne nje aleance lypesish nuk është thjesht një përputhje sipas fjalës së vjetër “tenxherja kapakun” por është thirrja e të parëve që i ysht ta njohin erën e njëri-tjetrit dhe që na tregon njëkohësisht sojin e tyre.
Është interesant fakti se ky person është sponsorizuar politikisht nga Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali të cilët (përveç Alfred Pezës dhe Taulant Ballës) janë dy egzemplarë kampionë të transformimit të modelit të flokëve, veshjeve dhe mjeteve të transportit. Rama, me siguri e di historinë e errët të kandidatit të vet. Por natyrisht nuk i bën përshtypje, në mos i duket avantazh fakti që kandidati i vet përflitet për gjëra të pista…për mos me thënë se e ka zgjedhur pikërisht ngaqë është i tillë.
Siç e thamë dhe që në krye të këtij shënimi, fakti që kandidati socialist ka qenë bashkëpunëtori dhe vartësi i një të dënuari për pedofili nuk përbën krim.
Por do të donim të rikujtonim edhe njëherë faktin tjetër që bashkëpunimi i tyre ka qenë i gjatë dhe që aktiviteti çnjerëzor i pedofilisë është kryer pikërisht gjatë bashkëpunimit të tyre.
Për Ramën, përgjegjësia është individuale dhe këtu ai e gjen aq sapun sa për të larë duart e përgjakura e te ndyra me çkamos. Por është e rëndësishme për qytetarët e Tiranës e për socialistët e thjeshtë e të ndershëm në veçanti që t`i matin mirë duart e tyre të pastra para se të votojnë një person të tillë si ky që ju servir në shenjë poshtërimi Rama. Përndryshe, përgjegjësia që do bjerë mbi ta, do të jetë kolektive.