Nuk ka pasur as grusht, as shtet
Pas një stërmundimi katërvjeçar të opozitës, që bëri dy akte të pa hasura më parë në regjimet demokratike, dogji mandatet dhe nuk u fut në zgjedhje, të thuash se rrëzimi i pushtetit u la për dy javë para zgjedhjeve të radhës, është fantashkencë.
Sigurisht, opozita do të korrte gëzim nga një krizë e re e qeverisë, por kjo nuk domethënë se ka mbjellë edhe farat e asaj krize.
Prandaj mos i konsideroni si diversantët e Xhevdet Mustafës kontrollorët e Rinasit, por thjesht si rrogëtarë të përkëdhelur të një enti publik.
Në pikëpamje të imazhit ata kanë patur disa gjëra kundër dhe këto i ka shfrytëzuar me mjeshtëri qeveria.
Rroga e lartë e tyre, për shembull, sa dhjetëfishi i mesatares së popullatës, u ka shkuar kundër. Pavarësisht statusit special të tyre, zilia është e para që hyn në lojë në raste të tilla. 65 vetë që paguhen me 4 500 dollarë në muaj, në një vend ku mbi 65 përqind e popullatës merr më pak se 450 dollarë në muaj është shkak për të vënë alarmin e pabarazisë.
Qeveria, me anë të propagandës, u ka kundërvënë grevistëve edhe dy elementë të tjerë. ‘Bllokimin e vaksinave’ dhe ‘lëvizjen e lirë të shqiptarëve’, përfshirë këtu të sëmurët, hallexhinjtë apo të vdekurit. Duke nënkuptuar se, në kohë pandemie, nuk udhëton kush tjetër veç këtyre tri kategorive.
Qeverisë i ka interesuar në fakt mosbindja e kontrollorëve, sepse i plotësonte narrativën negative që ka përdorur gjatë gjithë fushatës për opozitën.
Kthimi i tyre është lajm i keq, ata janë e vjetra, janë kundër reformës në drejtësi dhe kundër shtetformimit.
Kolapsi në Rinas dhe shoqërimi i tij me Berishën, Metën dhe Bashën i shkonte për shtat kësaj fushate negativiste të luajtur në çdo takim të Ramës nëpër Shqipëri.
Kështu që, të gjithë ju që e kemi marrë seriozisht, ai i djeshmi, nuk ka qenë më shumë se një seri e re në kinematografinë e propagandës.
Quajeni po deshët një vazhdim i filmit të njohur Wag the dog, ku Amerika i shpall luftë Shqipërisë. Në filmin e Ramës lufta bëhet kundër Rinasit.