Urdhër-ndalimi për tre kontrollorë të "Albcontrol", avokati: Janë bazuar te sms-të në WhatsApp. Njëri sapo kaloi Covid-in
Pas urdhër-ndalimit për tre kontrollorë të “Albcontrol”, Armando Fezga, Flora Ndreca Dhe Muhir Mezini, avokati i tyre Rezart Kthupi, në një komunikim për mediat para Drejtorisë së Policisë Tiranë është shprehur se, ndalimet janë bërë në bazë të bisedave personale në WhatsApp.
"Sapo kanë përfunduar procedurat për ndalimin e tre kontrollorëve, akuza është 'shpërdorim detyre në bashkëpunim', kjo është sa i takon pjesës informative. Zoti Fezga sapo ka kaluar Covidin, nuk është në kushtet më të mira për të përballuar ndalimin në paraburgim. Është një akuzë që nuk mund t'iu komunikohet atyre, se nuk janë funksionarë publikë.
Personat e ndaluar e kanë kundërshtuar ndalimin e tyre, nuk e di nëse një person mund të ndalohet për komunikime në Whatsapp. Dmth është një akuzë që është ngritur në bazë të komunikimit në grup.
Ai shtoi se Ministria e linjës mund të merrte një hua për pagat e tyre, siç ka bërë edhe në vitin 2019 për investime.
“Ministria e Energjitikës apo çdo ent tjetër shtetëror kishte të gjitha mekanizmat e nevojshëm ligjorë për të bërë të mundur financimin qoftë edhe përmes huasë. Nuk ka asnjë klauzolë ligjore që pengon AlbControl në kushtet e garantimit të fondit të pagave që të hyrë në tregun e lirë e të marrë hua. Sikurse ka marrë hua në 2019 për investime mund të merrte hua edhe për paga”, tha ndër të tjera avokati.
I pyetur mbi pretendimin e policisë se, kontrollorët janë ndaluar për shkak të frikës se mund të largohen, avokati tha: “Është pretendim. Nuk ka asnjë prove që ta provojë. Asnjë kontrollor nuk është larguar. Ata kontrollorë që nuk janë shoqëruar kanë qenë mbrëmjen e djeshme këtu. Dhe sot që të gjithë këtu. Me çfarë do largohen? Se avionët nuk punojnë".
Sipas Prokurorisë, tre kontrollorët e ndaluar akuzohen për “shpërdorim detyre”.