"Të gjitha janë licensuar me urgjencë", mjeku Troci: Shqipëria nuk e ka luksin të refuzojë vaksinën kineze

Mjeku Albert Troci, i cili jeton dhe punon në Itali në një lidhje të drejtpërdrejtë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini ka folur për situatën pandemike në Itali dhe procesin e vaksinimit.

Ai gjithashtu është shprehur se jo vetëm Shqipëria, por asnjë vend nuk e ka luksin të refuzojë vaksinat të cilat i ofrohen, pasi vaksina është e vetmja mundësi për të dalë nga situata në të cilën ndodhemi.

Çfarë mund të themi për situatën pandemike në Itali dhe paralelisht si paraqitet procesi i vaksinimit atje?

Troci:" Ne kemi pasur një muaj të vështirë me rastet që kanë qenë përherë të larta, duke mos pasur parasysh këto dy ditë në të cilat ka qenë festë dhe masat janë ashpërsuar. Besoj se kemi arritur pikun dhe tani shpresojmë që prilli të çojë në uljen e trajektores.

Procesi i vaksinimit ka ecur mirë, por jo aq mirë sa do dëshironim sepse ka pasur një mungesë furnizimi me vaksina.

Italia duhet të kryejë rreth 15 milionë vaksinime në muaj. Në muajin prill janë parashikuar rreth 8 mijë vaksinime, kështu që nuk arrijmë që të shkojmë në shifra për të avancuar në procesin e vaksinimit."

Një nga vaksinat më të përfolura është AstraZeneca dhe se si ajo ndikon tek njerëzit të cilët vaksinohen me këtë vaksinë. Shumë vende e kanë penguar procesin e vaksinimit. Si është raporti në Itali në lidhje me zhvillimet rreth e përqark ?

Troci:" Duhet të kemi parasysh që të gjitha vaksinat që ne po përdorim janë të licensuara me urgjencë, kështu që në këtë fushë është e qartë se ka një vështrim më nga afër dhe më preciz se çfarë ndodh gjatë procesit të vaksinimit."

Përsa i përket vaksinës kineze kemi shumë pak informacione, sipas përjetimit të një shteti. Së fundmi në Shqipëri ka mbërritur një sasi e konsiderueshme e vaksinave kineze. Sa e rëndësishme është që pavarësisht hijeve të dyshimit duhet t'i nënshtrohemi procesit të vaksinës?

Troci:" Është shumë e rëndësishme që procesi i vaksinimit të tetë sa më transparent. Përsa i përket vaksinës kineze, është e vërtetë që në fillimet e saj këto të dhëna kanë qenë jo shumë të qarta.

Në fazën e tretë ne kemi më shumë të dhëna në mënyrë paradoksale, sepse po përdoret gjerësisht. Nga këto të dhëna edhe këtu kemi pasur disa mosdakordësime sepse disa shtete kanë treguar një efikasitet deri në 80% dhe disa shtete kanë treguar një efikasitet që është limiti deri në 50.4%.

Procesi i vaksinimit duhet të jetë përherë dinamik. Nëse shikohet që një vaksinë mund të japë probleme, atëherë ndërhyet siç u ndërhy me AstaZeneca."

Është e nevojshme që secila vaksinë, nga secili vend që na vjen duhet të krijojmë besimin e duhur për tju ushtruar procesit të vaksinimit. Pra duhet t'i nënshtrohemi secilës vaksinë?

Troci:" Vaksina është e këshilluar, nuk është me detyrim në asnjë vend të botës. Në përgjithësi fakti që kemi mundësi të kemi akses në vaksina në këto momente është një luks kështu që unë nuk do ta refuzoja një vaksinë. Nuk kemi luksin që mos vaksinohemi."