"Rama i vetmi lider pas Millosheviçit që të shikon në sy e të gënjen" Milaim Zeka: Duhet të kesh vakum intelektual ti japësh mandatin e tretë"

Në një intervistë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini, analisti Melaim Zeka komenton fushatën zgjedhore në Shqipëri.

Zeka thotë se ndjen keqardhje kur dëgjon Ramën që gënjen qytetarët

“Duhet të jesh shumë komunist. Duhet të kesh vakum te jashtëzakonshëm shpirtnor, intelektual, mendor që  ti japësh edhe mandatin  e tretë kur as një përqind gjatë mandatit te parë e te dytë nuk i ka realizuar” nënvizon Zeka.

Pyetja: Për të bërë edhe një lidhje ndoshta paralelizëm, me atë çfarë ofrohet në Shqipëri në këtë fushatë elektorale të zgjedhjeve në 25 Prill. Si e shihni ju? Pra si do ta përkufizoni këtë fushatë dhe të ardhmen drejtuese të vendit?

Milaim Zeka: ‘’Tani është e dhimbshme kur unë dëgjoj 24 orë Edi Ramën duke gënjyer qytetarët e  Republikës së Shqipërise duke bërë fushatë me vaksinat që në fundë të fundit ai është detyrim nga ana e qeverisë dhe e kryeministrit që ti gjejë vaksinat, ti vaksinojë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

Si mund të lavdërohesh para një qytetari të thjeshtë, të shkretë dhe të varfër të Shqipërisë se paske gjetur ti vaksinat, kur vaksinat blihen me paratë e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Por si duket ajo mendësia komuniste e një regjimi totalitar në Shqipëri për 50 vite që Enver Hoxha e ka zhdukur totalisht trurin e shqipëtarëve dhe e ka krijuar nje vakum te jashtëzakonshëm mendor dhe shpirtëror dhe po e vërteton atë thënien e famshme të Vaclav Havelit që komunizmi ka rënë si sistem, por komunizmi nuk ka rënë nga truri dhe mendjet e njerëzve. Duhet të jesh shumë komunist.

Duhet të kesh vakum te jashtëzakonshëm shpirtnor, intelektual, mendor që  ti japësh edhe mandatin e tretë kur as një përqind gjatë mandatit te parë e te dytë nuk i ka realizuar.

Shqipëria vazhdon në një varfëri ekstreme. Është i vetmi vend që vuan për drita, vuan për ujë dhe Edi Rama është nga liderët e rrallë të Gadishullit Ballkanik pas Millosheviçit që të shikon në sy, të gënjen, e të bën të besosh gënjeshtrën të cilën ai po e thotë si të vërtetë. Kshuqë unë jam me të vërtetë tepër i shokuar.’’