"Ndrangheta" rrezik global, kërkohet gjurmimi i infiltrimit në Europë, 2 të arrestuar në Shqipëri
Dymbëdhjetë mafiozë të rrezikshëm të mafies kalabreze 'Ndrangheta' janë arrestuar gjatë dhjetë muajve të fundit; 3 prej tyre në Argjentinë, 2 në Shqipëri, 2 në Spanjë, 1 në Zvicër, 1 në Kanada, 1 në Costa Rica, 1 në Portugali, 1 në Republikën Domenikane.
U janë sekuestruar pasuri me vlerë 145 milionë euro e u janë konfiskuar 75 milionë euro.
"Mafia kalabreze 'Ndrangheta' përbën një rrezik botëror për ekonominë legale e është një nga organizatat kriminale më të fuqishme në botë", nënvizon analiza e takimit strategjik treditor të krerëve të Interpol me autoritetet e antimafies Italiane e në veçanti me Prokurorët e Antimafies kalabreze Gratteri e Bombardieri të cilët kërkuan ngritjen e skuadrave speciale territoriale në bashkëpunim me Policinë e vendeve të tjera, për të gjurmuar infiltrimin mafioz ndranghetist në ekonominë legale.
Ka përfunduar vizita në Itali e Drejtorit Ekzekutiv të Shërbimit Policor të Interpol, Stephen Kavanagh njëherësh dhe zëvendës i Sekrearit të Përgjithshëm të Interpol Jurgen Stock.
Për tre ditë rresht delegacioni i Interpol ka zhvilluar një mbledhje operative me autoritetet e Antimafies italiane në Romë, Catanzaro e Reggio Calabria, me qëllimin strategjik të analizës së punës së kryer e të objektivave të së ardhmes kundër mafies kalabreze Ndrangheta e shtrirjes së aktivitetit të saj kriminal në botë.
Prej 10 muajsh ata drejtojnë projektin I – CAN (Interpol Cooperation Against ‘Ndrangheta) i shtrirë në dhjetë vende të botës e me skuadra speciale të krijuara në Argjentinë, Australi, Brazil, Kanada, Kolumbia, Francë, Gjermania, Zvicër, Uruguay e SHBA.
Ndrangheta është një kërcënim global , është organizata kriminale më e fuqishme në botë e pranishme në 32 vende, 17 prej të cilave në Europë.
Ndrangheta është një brand ndërkombëtar kriminal si për forcën ushtarake ashtu dhe për aftësinë infiltrimit në ekonominë legale.
Në Europë shumë e konsiderojnë një fenomen folkloristik italian e në kontinentet e tjera është një fenomen pothuajse i panjohur dhe pse në territoret e tyre mafia vepron me afera milionare", nënvizon raporti i takimit operativ të zhvilluar në Itali nga krerët e Interpol.
Gjatë vizitës në Kalabri, Stephen Kavanagh, Drejtori Ekzekutiv të Shërbimit Policor të Interpol u takua me kreun e Antimafies së Katanzaros Nicola Gratteri dhe me kreun e Antimafies së Reggio Calabrias Gioivanni Bombardieri, ku kërkuan ngritjen e forcave speciale me policinë e vendeve të tjera për të kuptuar qysh në lindje sinjalet e para të ndotjes mafioze të ekonomisë.
U kërkua një vetëdije e re ndaj kërcënimit ndranghetist në Europë e në botë si dhe u hartua një katalog pyetjesh i cili iu shpërnda vendeve aderuese të projektit I-CAN, për të monitoruar praninë e Ndranghetas në sektorin financiar, import-export, agro-ushqimore, aeroportual, etj si dhe për të gjurmuar praninë e saj në nivele botëror nën riskun aktual të infiltrimit në ekonominë post Covid.