Siri/ Arrestohen 53 xhihadistë në kampin e Al Holit

Forcat kurde të sigurisë që menaxhojnë kampin e Al-Holit në Siri njoftuan arrestimin e 53 të dyshuarve të grupit terrorist, ISIS.

Operacioni kundër pjesëtarëve të Shtetit Islamik erdhi pas më shumë se 40 vrasjeve në kamp që nga fillimi i vitit dhe disa tentative për arratisje.

Autoritetet kurde thonë se vrasje janë kryer nga simpatizantë të ISIS-it, ndërsa organizatat në terren ia vënë fajin përplasjeve etnike.

"Kemi arrestuar 53 të dyshuar, përfshirë 5 krerë celulash të ISIS-it që planifikonin sulme të dhunshme terroriste brenda kampit. Konfiskuam celularë dhe kompjutera me informacione për celulat," tha Ali Hassan zëdhënësi i Asayish, forcat e brendshme kurde të sigurisë.

Kampi i Al-Holit konsiderohet si gjurma e fundit e ISIS-it.

Mes 62 mijë banorëve që jetojnë atje, kryesisht sirianë, irakianë por edhe europianë e shqiptarë, ka familjarë por edhe militantë islamikë që dikur i ishin bashkuar luftës së shenjtë.

Pas mposhtjes së bastioneve të Shtetit Islamik dy vite më parë, është rritur frika se celulat militante po fuqizohen sërish.

"Pavarësisht eliminimit të zonës së fundit gjeografike të terroristëve të ISIS-it në veri dhe lindje të Sirisë, idetë ekstremiste të organizatës kanë mbetur në rajon dhe në vendet fqinje. Kjo duket nga lëvizjet e celulave të fjetura xhihadiste që sulmojnë rregullisht forcat tona dhe figura të komunitetit në rajon," thonë zyrtarët kurdë.