Presidenti Biden shpalos planin prej 2 trilionë dollarësh mbi infrastrukturën dhe punësimin

Amerika synon ta rigjallërojë ekonominë e saj falë një plani investimesh prej 2,3 trilionë dollarë.

Presidenti Joe Biden deklaroi të mërkurën në prezantimin e planit se shpenzimet do të mbulohen pjesërisht nga rritja e taksave për bizneset.

Të ardhurat do të përdoren për të modernizuar infrastrukturën rrugore, spitalet dhe banesat sociale, për të adresuar krizën me ndryshimet klimatike dhe për hapjen e vendeve të punës apo për komunitetet rurale e me ngjyrë.

"Këto janë investime që Amerika i kryen vetëm një herë për gjeneratë. Jam i bindur se po të veprojmë tani, 50 vite më vonë njerëzit do na vlerësojnë dhe do të thonë: ai ishte momenti kur Amerika fitoi të ardhmen e vet,"tha Biden.

Plani i shpenzimeve publike i qeverisë demokrate do të shtrihet përgjatë 8 viteve dhe besohet se është i nevojshëm për ekonominë që të konkurrojë me shtetet e tjera rivale, si Kina.

Opozita republikane pritet ta kundërshtojë planin, sidomos rritjen e taksimit nga 21 në 28 për qind për korporatat dhe bizneset.

"E besoj vërtet se jemi në një moment historik ku zgjedhja kryesore është mes demokracive dhe autokracive. Ka shumë autokratë në botë që mendojnë se arsyeja pse demokracitë nuk fitojnë është se nuk kanë konsensus. Autokracitë kanë. Dhe këtu zhvillohet konkurrenca mes Amerikës, Kinës dhe botës," deklaroi Biden.

Pak javë më parë Kongresi amerikan miratoi një tjetër plan me vlerë 1,9 trilion dollarë për pandeminë, pa mbështetjen e republikanëve.