Kriza e emigrantëve në SHBA, çdo javë trafikohen mijëra familje të paligjshme

Ardhja e emigrantëve të paligjshëm nga kufiri jugor i SHBA-së po kthehet në një problem të vërtetë që tashmë e pranon edhe qeveria.

Për gati dy muaj që nga ardhja e demokratëve, kartelet meksikane trafikojnë përditë familje me fëmijë nga Hondurasi, Guatemala dhe El-Salvadori nëpërmjet lumit të Rio-Grandes.

Numri i të ardhurve të padokumentuar arriti në 100 mijë në muajin shkurt, fluks i paparë prej vitesh.

Vetëm gjatë ditës së diel, katër motoskafë me rreth 50 emigrantë zbarkuan nga Meksika në rrethinat e shtetit të Teksasit.

Këtë aktivitet trafikantët meksikanë të qenieve njerëzore e zhvillojnë në fshehtësi.

"U thoni rojave kufitare të mos e shpojnë barkën, se kemi fëmijë dhe lumi është i thellë e nuk kanë jelekë shpëtimi. Këtë punë kemi çdo ditë dhe është më e mirë se të jesh kriminel."

Me raste rojat kufitare komunikojnë edhe drejtpërdrejt me trafikantët, duke u provokuar nga këta të fundit.

Republikanët akuzojnë qeverinë e presidentit, Joe Biden, se nuk po bën sa duhet për ta adresuar krizën në kufi.

Disa senatorë të opozitës kanë fajësuar demokratët edhe për fshehje të situatës së rënduar me strehimin e emigrantëve.

Presidenti Biden po zbaton politika më pro-emigracion, ndërsa gjendjen në kufirin jugor e ka quajtur një sfidë njerëzore, jo krizë humanitare.