Vaj e çokollatë hashashi, “Rrjeta” e Policisë kap kushërinjtë me drogë të përpunuar
Katër persona u arrestuan në Shkodër si pjesë e një grupi kriminal me veprimtari në fushën e Narkotikëve. Policia u sekuestroi 14 litra vaj hashashi dhe një sasi lënde narkotike në formën e çokollatës, të cilat në tregun zi shkojnë në disa mijë euro.
14 litra vaj hashashi dhe 65.6 gramë lëndë narkotike në formë çokollate u sekuestruan nga Policia e Shkodrës që vuri në pranga katër persona si pjesë e një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve!
Të arrestuarit janë Halis Uraj, 30 vjeç, Mustafa Uraj, 26 vjeç, Arjan Uraj, 36 vjeç dhe Mehmet Uraj, 72 vjeç, të gjithë me lidhje gjaku me njëri tjetrin!
Tre të parët banues në Shkodër, ndërsa i moshuari banor i fshatit MES!
Operacioni i koduar “Rrjeta” u finalizua kur ata tentuan të shkëmbejnë lëndën narkotike në Postribë!
Veç drogës u sekuestruan edhe një armë gjahu, një sasi fishekësh, një sasi parash, 6 aparate celulare dhe 1 automjet.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në përpunimin e lëndëve narkotike në formë vaji e çokollate e më pas trafikimin apo shpërndarjen e saj.
Vaji dhe e ashtuquajtura çokollatë janë dy produktet më të shtrenjta nga përpunimit i kanabisit ku çmimi për litër ose Kilogram shkon në disa mijë euro.
Këto procese të përpunimit të bimës narkotike bëhen nga njerëz të specializuar dhe kërkojnë makineri të posaçme.
Vitet e fundit ka pasur disa raste të sekuestrimit të Kanabisit në formën e çokollatës, por rastet e kapjes së vajit të Hashashit kanë qenë të pakta.
