Rikthehen zjarrvënësit në Vlorë, digjet furgoni i pasagjerë, hetohet konkurrenca e konfliktet
Në Vlorë u rikthye fenomeni i djegies së qëllimshme të makinave që gjithmonë është parë si një mesazh kërcënues. Objektiv këtë herë ishte një mjet i transportit të pasagjerëve, ndaj hetimet janë shtrirë tek konkurrenca ose konfliktet.
Fenomeni i djegies së qëllimshme të makinave u rikthye në Vlorë.
Një furgon u dogj në orët e para të mëngjesit të së dielës në një ngjarje që po hetohet si zjarrvënie e qëllimshme.
Mjeti i transportit të pasagjerëve ndodhej i parkuar brenda oborrit të një banese kur iu është vënë zjarri.
Dyshimet e policisë janë se autorët kanë kaluar murin rrethues të shtëpisë dhe e kanë lyer mjetin me benzinë e më pas i vunë flakën.
Për pasojë të flakëve është dëmtuar edhe një tjetër makinë.
Pronari i mjetit rezulton person pa probleme me drejtësinë, ndërsa dyshimet janë zjarrvënia në mjet mund të jetë pasojë e konkurrencës.
Por grupi hetimor i Policisë së Vlorës nuk përjashton as pista të tjera për të cilat po hetohet.
Djegia e qëllimshme e mjeteve gjithmonë është lexuar si një mesazh direkt paralajmërues për pronarët!
Fenomeni është i përhapur masivisht, por në pjesën më të madhe të rasteve zjarrvënieve në makina kanë mbetur pa autorë.