Familja në banesë sociale por pa të ardhura, nëna e 5 fëmijëve: Nuk mbahet familja me bukë thatë
Pavarësisht se janë strehuar në banesat sociale në Shkozë, shumë familje të komunitetit rom përballen çdo ditë me vështirësi.
Familja Rushani jeton prej 4 vitesh në një prej apartamenteve teksa vijon ende luftën për mbijetesë.
Me 5 fëmijë dhe me mbesën, Fatmira Rushani, banon në këtë shtëpi.
Pavarësisht strehimit nga autoritetet, ajo përballet çdo ditë me sfidat që i sjell varfëria.
" Jam në një treg, jam zhyt në bankë. E kam marrë që të punoj, nuk ka punë. Bankat më kanë mbetur pa paguar, fëmijët mezi ushqehen."
I vetmi burim të ardhurash është rroga e njërit prej djemve me të cilën arrin të paguajë faturat e energjisë elektrike, ujin si dhe medikamentet për vajzën e sëmurë.
"Me një status të jetimit që kam të djalit, 30 mijë lekë të vjetra. Djali merr 260 mijë lekë në ndërtim. Nuk më dalin fare, vetëm groshë, me bukë thatë nuk mbahet shtëpia. Sëmundja po, kam një fëmijë invalide dhe i kanë hequr invaliditetin."
44-vjeçarja pohon se përveç banesës, autoritetet vendore nuk i kanë siguruar asnjë ndihmë.
Ajo kërkon vetëm një punë për të sjellë disa të ardhura më shumë në familjen e saj.
"Dua punë që të ushqej kalamajtë."