Doshi hap fushatën në Tiranë me përgjigje për Kim: Jam njeriu kyç që votoi reformën në drejtësi, PSD forcë e tretë

Në prezantimin e kandidatëve të Partisë Social Demokrate në Tiranë, Tom Doshi iu përgjigj ambasadores amerikane Yuri Kim e cila kërkon që ai të mos lejohet të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit pasi është pjesë e listës së zezë të DASH.

Kreu i PSD, i cili kryeson listat e kësaj partie në Tiranë e Shkodër, tha se  është një mbështetës i SHBA-së që në 1991, ndërsa shtoi se ka qenë njeriu kyç që ka kaluar reformën në drejtësi, një investim amerikan.

Doshi theksoi se fokusi i partisë së tij është luftimi i korrupsionit që ka larguar shpresën nga vendit.

"Korrupsioni është si lebra që sëmurë e vret shpresën" tha Doshi teksa citoi Papën.

"Po citoj Papën se korrupsioni është si lebra që sëmurë e vret shpresën. Jam një mbështetës i SHBA, kam qenë mbështes që në 1991 por punën  më të madhe që SHBA ka bërë për shqiptarët është reforma në drejtësi dhe te kjo reformë unë jam njeriu kyç që ajo reformë ka kaluar".

Doshi tha se edhe kandidatët që ka përzgjedhur për Tiranën janë të gjithë figura të pastra dhe askush nuk mund t'i akuzojë për korrupsion, ndërsa shtoi se PSD do të jetë forcë e tretë politike në këto zgjedhje.  

"Ne do të dalim forcë e tretë në këto zgjedhje. Ju jeni të gjithë figura të pastra dhe nuk mund t'ju akuzojë askush për korrupsion".

Ai prezantoi edhe  sloganin e partisë: “Na jepni besimin, t’ju kthejmë shpresën”.

"Shqiptarët nuk kanë më shpresë, dhe PSD-ja është e vetmja forcë që do t'ju kthejë këtë shpresën, ndërsa korrupsioni është shqetësimi më i madh".